Diskutim për projektet, ambasadori izraelit, vizitë në Kryegjyshatën Botërore të Bektashizmit

Kryegjyshi Botëror Edmond Brahimaj, priti ambasadorin e Izraelit, Noal Gal Gandier në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, në Tiranë. Pasi e falenderoi për vizitën e tij të parë në Selinë Botërore të Bektashizmit, Kryegjyshi Botëror foli për miqësinë e veçantë që populli shqiptar ka me atë hebre, fakt ky i evidentuar më tepër gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Nga ana e tij, ambasadori izraelit tha se kjo miqësi do të vazhdojë dhe të dy popujt që vuajtën prej fashizmit, sot janë kthyer në inspirim edhe për Bashkimin Europian.

Më tej,Brahimaj, e njohu ambasadorin Gandier me situatën e pandemisë, duke shtuar se ndihma e disa vendeve dhe në veçanti e shtetit mik të Izraelit, mund të kontribojë për ndalimin e kësaj pandemie.

Në takim u fol edhe për disa projekte me karakter ekonomik, kulturor e social, që janë të realizueshme, ndërsa së shpejti vizita dhe takimi i Kryegjyshit Botëror në Izrael, do të forcojë më shumë lidhjet e miqësisë midis dy popujve. Në fund të vizitës, Ambasadori Noah Gal Gandier vizitoi ambientet e selisë së shenjtë, ku u njoh me bektashizmin dhe devizën “Pa Atdhe s’kaFe”.