Ndarje mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për negociatat? Rama: Do ta presim, nuk ka problem

1 MARS EDI RAMA frame 48546 1100x620

Kryeministri Edi Rama tha se mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian nuk varet vetëm nga vendi ynë. “Duhet ta kuptojmë këtë. Jetojmë në një kohë tjetër, jo më e mira për ne. Kur ishte koha jonë, ishim të këqij ne. Tani jemi në formë të mirë, por duhet ta kuptojmë që nuk është koha më e mirë”, tha Rama në konferencën e përbashkët me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Europian për Çështjet e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Josep Borrell, dhe Komisonerit për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.

I pyetur për një ndarje të mundshme mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, këtë herë për shkak të problemeve të Shkupit me Bullgarinë, Rama shtoi: “Shpresoj që të mos ndodhë ndarja, shpresojmë që të vijojmë të ecim bashkë. U tmerrova që në sekondën e parë që dëgjova se kishte nisur një debat mbi identitetin mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Shpresoj që liderët e mençur të dy vendeve ta zgjidhin mes tyre këtë. Vëllezërit tanë në Maqedoninë e Veriut të mos shpresojnë për ndihmë nga Berlini apo Parisi, sepse nuk do të vijë. Por ta zgjidhin mes tyre. Të lënë historianët të merren me historinë. Nëse do të na thonë që keni bërë punë të mirë, por le të presim për fqinjët, atëherë nuk ka problem. Do ta përballojmë bashkë”.