PD firmos me LSI-në koalicionin paszgjedhor

Pasi firmosi koalicionin parazgjedhor me 12 parti të vogla, për zgjedhjet e 25 prillit, kryedemokrati Lulzim Basha firmosi sot me Monika Kryemadhin koalicion paszgjedhor, me LSI-në.

Firmosja e kontratës bëhet në shenjë uniteti për të dyja palët.

Ndërkohë, si sot një javë të gjitha partitë pjesëmarrëse në zgjedhje duhet të dorëzojnë në KQZ emrat e kandidatëve për deputet.

Në fjalën e saj, Monika Kryemadhi, tha pas nënshkrimit të marrëveshjes, se kjo është një ditë historike për të bashkuar forcat dhe për të punuar në të mirë të shqiptarëve.

“Sot, është një ditë historike për LSI-në dhe PD-në, por më e rëndësishmja dakordësoi për të bashkuar forcat dhe për të punuar në shërbim të shqiptarëve. Partneriteti ynë tregon që ndryshimi po vjen, dhe ditë më të mira për shqiptarët po vijnë. Shumë prej tyre do thonë që LSI-ja rritet nga elektorati i së majtës. Dua të adresoj që ne si LSI e PD do jemi dy entitete me identitetin e tyre, mund të kemi dhe kundërshtime të caktuar, por do gjejmë gjuhën e bashkëpunimit dhe do të punojmë fort duke vendosur para interesin e Shqipërisë e shqiptarëve”.

Ndërsa kryedemokrati Basha u shpreh se udhëtimi i përbashkët për të ndryshuar Shqipërinë fillon sot. “Shqipëria meriton një qeverisje që kujdeset për ju, në vend që të kujdeset për veten e saj. Kam prezantuar planet e punës për të gjitha drejtimet. Jo premtime boshe, plane pune që do të ndryshojnë jetën e secilit prej jush”, tha Basha. “Ka ardhur çasti që të bashkohemi dhe të fitojmë për çdo shqiptar”.