PSG “shënjestron” Elseid Hysaj, në listën e merkatos përkrah Messi e Depay

Hysaj PSG 1100x620

E ardhmja e Lionel Messi mund të ndikojë në të ardhmen e Elseid Hysaj. Kapiteni i Shqipërisë është gati të hedhë hapin e madh në karrierë, duke iu bashkuar kampionëve të Francës, Paris Saint Germain.

Lajmi i bujshëm i merkatos është publikuar nga prestigjiozja ESPN, që ka zbuluar edhe listën e dëshirave të drejtorit sportiv të klubit, Leonardo. Hysaj është mes objektivave të klubit, ku spikat gjashtë herë fituesi i Topit të Artë, Lionel Messi.

PSG është gati të shpenzojë dhjetëra miliona euro për të transferuar kapitenin e Barcelonës. Një lëvizje e tillë do të ndikonte në mënyrë të drejtpërdrejtë në projektet e klubit, sepse për të respektuar “fair play financiar”, afrimet e tjera të parisienëve duhet të jenë me shpenzime minimale.

Për këtë arsye, Paris Saint Germain po orientohet drejt lojtarëve pa kontratë, të cilët mund të afrohen me parametër zero. Elseid Hysaj është preferenca e Leonardo-s për mbrojtjen. Fakti që kuqeziut i përfundon kontrata me Napolin në fund të sezonit, do të garantonte një përforcim tejet cilësor, parënduar arkat e klubit.

Në listën e transferimeve me kosto zero, janë edhe emra të tjerë të rëndësishëm të futbollit ndërkombëtar. Duke nisur nga ylli i Liverpool, Georginio Wijnaldum për të vijuar me sulmuesin e Lyon, Memphis Depay. Një tjetër objektiv është edhe blerja përfundimtare e Moise Kean, me negociatat për këtë të fundit që nuk janë të lehta.

Nëse planet e merkatos realizohen, Elseid Hysaj do t’i shtohej listës së yjeve në Paris, ku vërtet do të transferohej me parametër zero, por duke u paguar si “sheik”.