“Qyteti i humbur”, mrekullia antike më e lashtë se Machu Picchu

Fshehur në xhunglën e maleve të Sierra Nevada-s, në Kolumbi, gjendet “Ciudad Perdida”, apo “Qyteti i humbur”. I ndërtuar rreth viteve 800, siti arkeologjik u bë tërheqje turistike, vetëm pasi u zbulua në vitet 1970.

I njohur edhe me emrin Teyuna, mrekullia antike shpesh krahasohet me Machu Picchu-n, pasi të dyja vendet arkeologjike janë të vendosura në kodra, në pyjet e shiut të Amerikës së Jugut. Sidoqoftë, Teyuna është 650 vjet më i vjetër se Machu Picchu peruan, dhe për të mbërritur atje nuk ka trena ose autobusë, ndaj mënyra e vetme është ecja në këmbë për shumë ditë.

Udhëtimi deri në “Qytetin e humbur” kalon nëpër një rrugë të vështirë, që nis fillimisht me një shteg të vështirë, me bimësi të dendur, pemë të larta bananesh, hardhi të varura, për t’u ngjitur më pas në katër male. E gjithë guida realizohet me mushka, në kushte të vështira atmosferike, mes temperaturave të larta dhe lagështisë së tmerrshme, por edhe rrezikut nga gjarpërinjtë e lumenjve.

Komuniteti Wiwa, pasardhës të fiseve Tairona-s, themelues të këtij qytetërimi të lashtë në Kolumbi, vazhdojnë të kenë lidhje të fortë me trashëgiminë e tyre. Ata ndjekin akoma kulte dhe rite si të parët e tyre, duke demonstruar p.sh. një lidhje të fortë shpirtërore me tokën dhe pyjet. Të veshur të gjithë me të bardha, anëtarët e fisit jetojnë shumë larg jetës moderne të botës sot.

Mendohet se në këtë zonë të humbur me terren të vështirë, jetuan 2000 anëtarë të fisit Taironas, për shekuj, derisa e braktisën atë diku midis viteve 1580 dhe 1650, kohë e kolonizimit spanjoll. Fatkeqësisht, në vitin 1972 në këtë qytet antik u vodhën shumë thesare ari, bizhuteri dhe qeramika.