Rama: Ishte tronditëse për popullin tonë që u mënjanua në shpërndarjen e vaksinave

rama bruksel 1100x620

Kryeministri Edi Rama, pas takimit të njëmbëdhjetë të Këshillit të Stabilizim-Asociimit (Këshilli i SA) midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, deklaroi në konferencë për shtyp se vlerëson “përpjekjet e bëra nga komisioneri Varhelyi për të qenë në anën tonë në këtë moment kaq delikat, kur ne dhe vendet e rajonit u lamë mënjanë në shpërndarjen e vaksinave”.

“Vlerësoj përpjekjet e bëra nga komisioneri për të qenë në anën tonë në këtë moment kaq delikat, kur ne dhe vendet e rajonit u lamë mënjanë në shpërndarjen e vaksinave. Ishte moment tronditës për njerëzit tanë, pasi, siç e dini, ne nuk jetojmë në kufi të Bashkimit Evropian, por jemi të rrethuar nga vende të BE-së. Populli ynë meritonte të kishte vaksinën njësoj si vendet e tjera. Sot ka 140 vende që nuk kanë nisur vaksinimin, ka 10 vende që kanë 70% të prodhimit të vaksinave. Shpresoj që kjo situatë të zhbllokohet”, tha kreu i qeverisë.

Më tej, Rama theksoi: “Jam i lumtur që dëgjoj prej jush që më në fund, COVAX po nis të japë dozat e para. Jam i lumtur që dëgjoj nga ju këtu që Shqipëria ka bërë gjithçka që mundej për të çelur konferencën e parë ndërqeveritare. E rëndësishme për ne është që e kemi bërë punën tonë dhe jemi shumë të vëmendshëm që të dëgjojmë komisionin, që është mekanizmi vlerësues mbi baza faktike të progresit të një vendi”.

“Së fundi, shpresoj që plani për investime në Ballkan i prezantuar vjet, të jetë instrument për të forcuar ekonomitë dhe për të forcuar bashkëpunimin. Ne reformat nuk i bëjmë se na i kërkoni ju, por sepse janë ato çka u detyrohemi fëmijëve tanë”, shtoi kryeministri.