Reforma në Drejtësi, PS propozon ndryshime ligjore që prekin edhe Kushtetuesen

Deputetët juristë të Partisë Socialiste kanë propozuar ndryshimet e disa ligjeve të Reformës në Drejtësi nën argumentin se pushteti gjyqësor është në pamundësi për shkak të vakancave të krijuara nga vetting-u. Ndër nismat e propozuar është edhe mënyra e zgjedhjes së tre gjyqtarëve kushtetues nga Gjykata e Lartë.

Mazhoranca kërkon të ndryshojë ligjet e Reformës në Drejtësi. Pesë vite nga miratimi i neneve të reja kushtetuese, të pagëzuara si drejtësia e re, vetë shumica socialiste kërkon të ndryshojë aktet ligjore nën argumentin se pushteti gjyqësor ka vështirësi në kryerjen e detyrave, për shkak të vakancave të krijuara gjatë procesit të vetting-ut. 

Nëpërmjet akteve të depozituara në Kuvend kërkohet të ndryshohet edhe mënyra e zgjedhjes së Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese: “Në procedurën e zgjedhjes së gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese nga Gjykata e Lartë, përmes dispozitës së parashikuar në projektligj është ndryshuar kuorumi i nevojshëm për vlefshmërinë e mbledhjes nga tre të katërtat, në jo më pak se gjysmën e të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë”.

Kjo dispozitë e re ligjore, nëse miratohet, parashikon që për të dërguar tre propozimet e veta në Gjykatën Kushtetuese, kuorumi i nevojshëm në Gjykatën e Lartë të mos jetë më prej 14 anëtarësh, por do të mjaftonte një shumicë e thjeshtë, pra 10 anëtarë. 

Aktualisht, Gjykata e Lartë ka në përbërje 3 gjyqtarë dhe për të reduktuar numrin e madh të dosjeve në pritje, propozohet edhe ndryshimi i trupës së nevojshme për shqyrtimin e tyre, duke quajtur të mjaftueshëm vetëm një gjyqtar, nga tre që kërkohet aktualisht. Mes rasteve të përcaktuara është edhe ai që ka të bëjë me kërkesat për ekstradim: “Ky parashikim synon të rrisë efektivitetin e gjykimit dhe lehtësojë ngarkesën e gjykatave, duke mbajtur në konsideratë parimin e gjykimit të dosjeve brenda një afati të arsyeshëm”.

Nga 4 ligjet e famshme të Reformës në Drejtësi, katër kërkojnë ndryshimin nga Parlamenti.