Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

Nga A2 CNN
2 Mars 2021, 08:08 | Aktualitet
Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

Pesë komisione parlamentare zhvillohen sot prej orës 09:00. Tema me rëndësi për t’u shqyrtuar mbetet projektligji për krijimin e Agjencisë së Diasporës dhe ndryshimet e propozuara në vetting-un në radhët e policisë, që sugjerojnë pezullimin e vetting-ut në polici deri në përfundimin e vlerësimit kalimtar të punonjësve të SHÇBA-së.

Pakicat boshnjake protestojnë sot në Kosovë për hetim të procesit zgjedhor

Në Kosovë përfaqësues të partisë politike që përfaqësojnë pakicën boshnjake protestojnë sot para institucioneve për hetim të procesit zgjedhor në qendrat e votimit ku historikisht kanë dalë fituese dhe më 14 shkurt mbështetje më të madhe mori Lista Serbe.

Dialogu, Kurti takon Lajçak: Duam një proces parimor

Po në Kosovë, mbrëmë, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, u takua me kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti. “Folëm për dialogun”, tha Lajçak pas takimit, mirëpo për Kurtin dialogu nuk është në plan të parë, por renditet i katërti pas drejtësisë, punësimit dhe pandemisë. “Duam një proces parimor dhe të përgatitur mirë këtë herë”, i ka thënë Kurti-Lajçak.

Mali i Zi kthen izolimin pas shtimit të rasteve me Covid-19

Mali i Zi kthen izolimin sot në një sërë komunash të tjera, përveç Budvës dhe Tivarit pas rasteve të shumta me koronavirus. Nga sot në Podgoricë, Cetinja, Ulqin, Herceg Novi, Niksiç dhe Pluçine është njoftuar mbyllja e shkollave dhe ambienteve të hotelerisë, bareve dhe restoranteve. Në vend, ndërkohë, vijon procesi i vaksinimit me vaksinat ruse Sputnik V të dhuruara nga Serbia.

Ekspertët në Gjermani kërkojnë zgjatjen e bllokimit

Ekspertët i sugjerojnë kancelares Merkel të zgjasë bllokimin edhe me të paktën 3 javë të tjera. “Përndryshe do të jetë shumë e vështirë ose edhe e pamundur që të kontrollojmë valën e tretë”. Paralajmërimi vjen para takimit të nesërm të kancelares me 16 kryeministrat e landeve për masat pas 7 marsit.

Edhe 4 javë për të nisur lehtësimin e masave në Francë

Franca paraqitet më keq përsa i takon rasteve të infektimeve ditore dhe për këtë çështje askush nuk mund t’ia ndërrojë mendjen presidentit Macron, sipas të cilit për të filluar lehtësimin e masave të marra duhen të paktën edhe 4 javë. Ndryshe nga shumë shtete të tjera, Franca ishte disi më dorëlëshuar sa i takon masave.

Johnson and Johnson nisi në mesnate shpërndarjen e dozave

Pas aprovimit që mori nga Agjencia e Barnave dhe Ushqimeve, kompania Johnson and Johnson nisi në mesnatë shpërndarjen e dozave të saj në pikat e vaksinimit. Janë 4 milionë të tilla, sikurse njoftoi kompania. Vaksina e saj injektohet me një dozë te vetme dhe është efektive edhe ndaj varianteve të reja të virusit.

Mbi 20 mln të vaksinuar në Angli, ulet me 80% numri i shtrimeve në spital

Anglia paraqitet më mirë pasi është regjistruar 80 për qind më pak shtrime në spitale të personave tek të cilët është injektuar minimumi një dozë e vaksinës kundër koronavirusit. Për momentin, Britania e Madhe numëron mbi 20 milionë të vaksinuar, por sërish u bëhet thirrje qytetarëve të mos ulin vigjilencën.

OBSH ngre alarmin për shtimin e rasteve të të prekurve me Covid-19

Në këtë fazë, OBSH-ja ngre alarmin përsa i takon situatës me Covid-19 në mbarë botën. Gjatë javës që lamë, numri i rasteve të reja të të infektuarve është rritur pas 7 javësh rënieje të vazhdueshme, tha një përfaqësues i saj. Sipas organizatës, të dhënat tregojnë se shtim të rasteve ka në Amerikë, Evropë, Azinë e Jugut dhe Mesdheun Lindor.

Shuhet në moshën 83-vjeçare Agim Krajka

Ndahet nga jeta kompozitori i njohur, Agim Krajka, në moshën 83-vjeçare. Lajmin e vdekjes së tij e njoftoi në rrjetet sociale i biri, Ulis Krajka. Agim Krajka lë pas një krijimtari të pasur ku përmendim këngën “Lemza”, kënduar nga Vaçe Zela, apo kolonën zanore të filmit “Çifti i lumtur” dhe “Zonja nga qyteti”. Gjatë karrierës, ai është nderuar me 15 çmime të ndryshme ndër të cilat edhe titullin Mjeshtër i Madh.

A2 CNN Livestream

Dita jonë