Fushata në pandemi, debat në Kushtetuese mes qeverisë dhe gjyqtarëve

Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim padinë e Partisë Republikane kundër ndalimit të aktiviteteve partiake në kohë pandemie. Kufizimi në maksimumi 10 persona për aktivitet, është çfarë PR kërkon të shfuqizojë, një përcaktim ligjor i Qeverisë që kushtëzoi edhe vetë funksionimin e Gjykatës.

Trupa prej 7 anëtarësh u detyrua që të alternonte praninë e personave palë në proces duke i futur një nga një në sallë. Ky ishte edhe fokusi i debatit. “Ministri i thotë Kryetarit të Kuvendit se numri i njerëzve brenda ambienteve të Kuvendit që ushtrojnë pushtet ligjvënës nuk quhet grumbullim masiv. Numri i njerëzve në restorante dhe bare kur janë mbi 10 persona a quhet grumbullim masiv?”, tha Marsida Xhafellari, anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

Xhaferllari nuk ia kurseu përfaqësuesit të ekzekutivit krahasimet me çfarë sheh përditë në mjetet e transportit publik, bare dhe restorante. “Mbledhjet e qeverisë kur marrin pjesë më shumë se 10 persona a quhet grumbullim masiv?”.

Përfaqësuesi i qeverisë, Abaz Deda: “Mund të lejohet duke respektuar rregullat e Covid, distancimin social dhe mbajtjen e maskave. Në rast të një tubimi politik në shesh nuk mund të kesh alkool, nuk mund t’i thuash tjetrit të largohesh një metër e gjysmë, është e pakontrollueshme. Në këtë kontekst, është e ndryshme grumbullimi i individëve të përgjegjshëm për ushtrim të aktivitetit publik dhe është e ndryshme kur thirren njerëzit në një miting politik”.

Kreu i republikanëve nuk hyri në sallë, por u kujdes të sqaronte për mediat e nuk ishte kundër respektimit të masave për kufizimin e pandemisë. Gjykata kërkoi nga ekzekutivi numrin e gjobave që u janë vënë subjekteve politike për shkelje të urdhrit që ndalon aktivitetet partiake përpara se sa të dalë me një vendimmarrje për këtë çështje.