Kishin fshehur fuçi me qindra litra birrë në fund të oqeanit, kur kthehen gjejnë vetëm… peshqit

Mendonin se kishin gjetur idenë perfekte të biznesit, por edhe të marketingut. Qindra litra birre artizanale, të mbyllura në fuçi, dhjetëra metra poshtë oqeanit, në territor argjentinas, të mbrojtura nga rrënojat e një anije sovjetike. Një mënyrë konservimi origjinale për të cilën në Argjentinë, por jo vetëm, do të paguanin më shumë për ta blerë dhe shijuar.

Por kur pas një viti pushimi në errësirë dhe në shoqërinë e krijesave oqeanike, birra ishte gati për t’iu drejtuar dyqaneve, palombarët që i kishin vendosur në ujë filluan të qanin nga mërzia, sepse pothuajse të gjitha fuçitë ishin zhdukur, me pasoja financiare dhe morale të mëdha për birraritë që kishin ideuar sipërmarrjen e çmendur.  

Bëhet fjalë për birrari si Heller, Paloma dhe Baum, që kanë humbur rreth 500 litra birrë, ose më mirë janë vjedhur nga të panjohur, që janë përballur me rreziqet e atyre thellësive për të “shijuar” alkoolin e veçantë.

“Ëndrrat e krijimit të birrës në fund të oqeanit janë zhdukur tashmë. Nuk vodhën vetëm fuçitë, por edhe shpresat e disa sipërmarrësve që u munduan të linin pas një vit të vështirë. Një pjesë e fitimeve do të shkonin për muzeun oqeanografik të La Platës”, thotë njëri prej pronarëve.