Kushtetuesja shqyrton kërkesën e PR, Mediu: Kërkojmë barazi, jo standarde të dyfishta

Gjykata Kushtetuese mban sot seancën e parë për shqyrtimin e kërkesës së kryetarit të Partisë Republikane, Fatmir Mediu, i cili kundërshton ndalimin e takimeve elektorale, masë kjo e vendosur nga Komiteti Teknik i Ekspertëve të Shëndetësisë në fund të vitit të kaluar, për shkak të masave të pandemisë.

Kreu i PR, Fatmir Mediu, ka folur para Gjykatës Kushtetuese ku po shqyrtohet kërkesa e PR për zhvillimin e tubimeve elektorale. Ai tha se është për respektim masash anti-COVID, por kërkon barazi dhe jo standarde të dyfishta.

“Kërkesa e PR kërkon respektimin e ligjit në mënyrë të barabartë si nga individët ashtu dhe nga partitë. Veprimtaritë e Ramës kërkojnë karantinë për opozitën, ndërkohë që parlamenti e qeveria mbi 10 veta mund të mblidhen. Kjo është situatë e papranueshme, antikushtetuese dhe ligjore s’mund të ketë dy standarde, sepse s’mund të trajtohet ndryshe kryetari i partisë, kryeministri dhe kryetari i bashkisë dhe ndryshe opozitarët. Kemi një regjim që përpiqet të frenojë rregullat. Kemi një regjim të korruptuar. Jemi për të respektuar çdo lloj rregulli, por që imponohen në mënyrë të barabartë për të gjitha partitë politike”

Sipas Mediut, duhet të përcaktohen qartë rregullat në fushatë elektorale për të mos u trajtuar ndryshe mazhoranca dhe ndryshe opozita.  

“Duhet të përcaktohen qartësisht rregullat në fushatë elektorale. 10 veta në një sallë të vogël nuk është e barabartë me një sallë të madhe. Duhet lënë mënjanë hipokrizia që drejtues të komitetit të lënë qeverinë. Masat ushtrohen vetëm tek opozita. Parlamenti mblidhet, pushteti vendor mblidhet, vetëm opozita nuk lejohet.”