Numërohen votat me kusht, lëvizja Vetëvendosje fiton gjysmën e tyre

MB NUMERIMI KOSOVE frame 716 1100x620

Përfundon numërimi i votave me kusht dhe i atyre të personave me nevoja të veçanta në Kosovë. Komisioni Qendror Zgjedhor bëri me dije se nga 29 mijë votat që ishin për t’u numëruar, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë shumicën e tyre, rreth 15 mijë.

Më pas vjen Partia Demokratike e Kosovës me rreth 5 mijë vota, Lidhja Demokratike e Kosovës me rreth 3 mijë dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 2100. KQZ njoftoi se ka nisur edhe numërimi i votave të ardhura përmes postës, të cilat gjithsej janë mbi 56 mijë.

Zëdhënësi, Valmir Elezi, tha se pas përfundimit të numërimit të tyre do të mund të shpallet dhe rezultati përfundimtar i zgjedhjeve të 14 shkurtit. Kjo i hap rrugë formimit të qeverisë së re pasi mësohet se sa deputet do të ketë secila parti në parlament.