Rritja e pagës minimale, fasonët kundër, iu rritën kostot me 15%

Publikuar më: 2/3/2021, ora 12:49

Rritja e pagës minimale, fasonët kundër, iu rritën kostot me 15%

Publikuar më: 2/3/2021, ora 12:49

Rritja e pagës minimale nga 1 janari i këtij viti ka rritur me 15% kostot e biznesit fason. Përfaqësuesit e kësaj industrie deklarojnë se rritja e kësaj page u bë në një kohë kur pandemia e ka futur sektorin në një krizë mbijetese. Fasonët janë ndër industritë më të prekura nga rritja e pagës minimale, duke qenë se pjesa më e madhe e të punësuarve të tyre janë në këtë fashë.

 “Rritja e pagës minimale ndikoi me 15%, por problemi nuk është tani, por në të ardhmen. Biznesi ynë po përballet me probleme shumë të mëdha me kontratën e punës, në qoftë se i shtohet edhe rritja e pagës minimale, atëherë jemi ende më shumë në vështirësi”, deklaroi  Florjan Zekja, përfaqësues i Pro Eksport Albania.

Për sa i përket premtimit të qeverisë dhe opozitës për rritje të mëtejshme të pagës minimale, sipërmarrësi Florjan Zekja i konsideron të shkëputura nga realiteti, me të cilin po përballet biznesi shqiptar.

 “Janë masa të pastudiuara, që nuk kanë lidhje me realitetin shqiptar. Këto bëhen vetëm për efekt të sigurimeve shoqërore, ato që ne i cilësojmë si taksa të fshehta”, vijon Zekja.  

Që prej vitit 1995, paga minimale në Shqipëri ka ndryshuar gjithsej 20 herë. Ndryshimi i fundit ishte ai i janarit të këtij viti, ku paga minimale u rrit me 4 mijë lekë, duke kapur nivelin e 30 mijë lekëve.