“Rrufe në qiell të hapur” te Dinamo, largohen Moriero dhe Miccoli

Atëherë kur gjithçka dukej se kishte marrë formë dhe projekti ishte gati për të finalizuar objektivin e madh të sezonit, ndodh befasia e madhe.

Francesco Moriero dhe Fabrizio Miccoli, dy emrat e mirënjohur italianë që morën drejtimin e Dinamos, kanë dhënë dorëheqjen. Ish-futbollistët i kanë dhënë fund bashkëpunimit me klubin dinamovit, pas jo më shumë se dy muajve, dhe arsyeja, sipas tyre nuk është e vogël.

Në një komunikim për mediat italiane, Moriero dhe Miccoli shprehen se ata nuk janë paguar për periudhën që kur kanë mbërritur në Shqipëri.

 “Kemi dhënë dorëheqjen. Nuk ishin kushtet e duhura për të vazhduar. Nuk morëm paratë dhe për këtë arsye dhamë dorëheqjen. I gjithë ky konfuzion lindi prej faktit që në komunikimin tonë, Moriero nuk e përshëndeti presidentin Pontrelli. Nëse dorëhiqemi, do të thotë se diçka nuk shkon. As ne nuk kemi kohë për të humbur, por dy muaj gjithsesi i humbëm. Nëse do të mendoja për emrin që kam, nuk do të shkoja në Serinë B shqiptare”, këto janë fjalët e ish-kapitenit të Palermos për tuttomercatoweb, që disponon edhe shkresën zyrtare të klubit blu të firmosur nga administrator Ermal Barushi, në të cilën shkruhet se trajnerët italianë nuk kërkojnë dëmshpërblim financiar dhe se janë të lirë të aktivizohen në klube të tjera brenda dhe jashtë Shqipërisë.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i klubit të Dinamos në faqen zyrtare, ndërsa lihet të kuptohet se drejtimin do ta marrin tashmë trajnerë shqiptarë, madje nga ata që janë rritur nga familja dinamovite. Lajmi vjen si një rrufe në qiell të hapur për kampin blu dhe futbollin shqiptar në tërësi, ndërsa Dinamo kryeson grupin në kategorinë e parë dhe pretendon ngjitjen pas shumë kohësh në elitën e futbollit, sikurse ishte misioni me mjaft perspektivë që ndërmorën dyshja e famshme Moriero-Miccoli.