Skema e vrasjes së Behar Sofia, autori e priste tek ura në këmbë. Hetohet dhe për konflikt banal

A2 ka rindërtuar skemën e vrasjes së Behar Sofisë dhe mënyrës se si vrasësi e ndoqi nga pas dhe e qëlloi me dy plumba. Pasi konsumoi kafen në një qendër tregtare, 66-vjeçari kaloi kryqëzimin në drejtim të urës që të çon për në Kishën Katolike. Policia, nga kamerat e sigurisë, ka të fiksuar vrasësin me xhup të zi e me kapele, i cili e priste tek ura.

Pasi u drejtua për nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” në krah të Lanës, 66-vjeçari nuk e dinte se ndiqej nga atentatori, i cili lëvizte në këmbë. Ai e ndoqi për rreth 30 metra dhe e qëlloi me dy plumba. Behar Sofia u qëllua tek gjymtyrët e poshtme, ndërsa njëri prej plumbave i preku aortën e nga gjakderdhja humbi jetën rrugës për në spital.

Hetuesit kanë të fiksuar në kamera se si personi i veshur me të zeza, me maskë anticovid, largon njërin krah të xhupit që mbante veshur dhe prej aty nxjerr pistoletën e qëllon mbi Sofinë. Nga kqyrja e pamjeve filmike, del se arma e përdorur është një pistoletë tip TT pa silenciator.

Më pas, me ecje normale, ai largohet nga vendngjarja dhe nën urën e madhe të bulevardit që ndahet me ish-Hotel Dajtin, merr biçikletën e largohet. Aty ai është pikasur nga një i pastrehë i cili tha për hetuesit se ky person, i cili ishte i madh në moshë, afrohet me nxitim, merr mjetin dhe largohet në drejtim të sheshit “Nënë Tereza”.

Nga ana tjetër, hetuesit duket se kanë zgjeruar pistat, pasi mënyra e ekzekutimit të 66-vjeçarit dyshohet se nuk është bërë nga një profesionist. Për policinë mund të jetë dhe një person i cili ka pasur konflikte së fundmi me Sofinë, ndërsa shkaku mund të jetë dhe banal.

Në media, Behar Sofia u etiketua si bosi i drogës dhe se vrasja e tij kishte lidhje me trafikun e heroines, por mënyra e ekzekutimit, marrja në pyetje e dy personave të cilët më pas janë lënë të lire, ka ndryshuar dhe rrjedhën e hetimeve.