Trajnerët italianë, një dështim në Shqipëri

Ish-futbollistë, shpeshherë të famshëm, që vijuan karrierën si trajnerë, por me dy të përbashkëta të mëdha: italianë dhe që kanë zhgënjyer në Shqipëri. Përtej suksesit të De Biasit në Europianin e vitit 2016 dhe punës së mirë të Edy Reja, trajnerët e tjerë italianë në vendin tonë kanë dështuar.

Këtë e konfirmon historia e mijëvjeçarit të ri. Nga viti 2002, kur Tiziano Gori u bë trajneri i parë nga përtej Adriatikut që erdhi në Shqipëri pas 5 dekadave. Pas Erzenit, në vitin 2002 mori drejtimin e Partizanit. Në gjashtë muaj e drejtoi ekipin për 15 ndeshje, duke e pozicionuar të tretën në kampionat dhe e kualifikoi në Kupën Intertoto.

Po në vitin 2002, në muajin korrik, në stolin e Kombëtares u emërua Giuseppe Dossena. Ai ishte tekniku i parë i huaj prej hungarezit Miklos Vadas, në vitin 1953. Me Shqipërinë qëndroi më pak se tre muaj, duke e drejtuar eipin në sfidat kualifikuese me Zvicrën dhe Rusinë dhe miqësoren jozyrtare me Kosovën. U arratis në nëntor 2002, duke dhënë dorëheqjen me një letër, prej presionit të mediave rreth vendimeve teknike.

Historia vijoi me Leonardo Menichinin, që u emërua te Tirana në vitin 2005, duke punuar vetëm 4 muaj. Në vitin 2013, Teuta që largoi pas vetëm tre muajsh punë Roberto Sorrentinon: në total nëntë ndeshje në kampionat, nga të cilat fitoi 22%.

Për rezultate të dobta dhe me rrezikun e rënies nga kategoria, në 2014-n, Vllaznia largoi Baldo Ranierin pas 8 muajve, ndërsa Flamurtari shkarkoi Ernestino Ramellan pas gjashtë muajve.

Në vitin 2016, në Shqipëri mbërriti Andrea Agostinelli. Me 12 muaj në stol, ai është italiani më jetëgjatë që ka punuar në kampionatin tonë. Kjo për një arsye të thjeshtë, sepse periudha është e ndarë mes Partizanit dhe Skënderbeut. Me të kuqtë nuk arriti të fitonte betejën e titullit kundër korçarëve, ndërsa nga Skënderbeu u shkarkua për rezultate të dobta.

Po në vitin 2016, Partizani emëroi Adolfo Sormanin, i cili u largua pas vetëm dy muajve e gjysmë punë, pavarësisht kualifikimit historik në turin e tretë të UEFA Champions League. Sormani u rikthye te të kuqtë në vitin 2020, për një periudhë 6-mujore, ku shkarkimi erdhi prej ecurisë së dobët dhe faktit që nuk pranoi të drejtonte ekipin në derbi, pas infektimit të pesë lojtarëve me koronavirus.

Dashuria e Partizanit me italianët vazhdoi, edhe pse rezultati mbetej po ai: dështim, largime të shpejta dhe kontrata të kripura për të paguar. Në vitin 2017, të kuqtë larguan pas vetëm katër muajve ish-mbrojtësin e Italisë, Mark Iuliano. Pas tij, ishte radha e Franco Lerda që të zhgënjente te Partizani, ku edhe pse trashëgoi një skuadër kampione dhe fitoi Superkupën, u largua pas 6 muajve.

Më jetëgjati në Shqipëri ishte Christian Panucci, edhe pse specifika ndryshon, pasi ish-mbrojtësi i Romës, Milanit e Real Madrid drejtoi Kombëtaren. 20 muaj katastrofikë në stolin kuqezi, ku u shkarkua në mars të 2019-s, menjëherë pas humbjes me Turqinë, në sfidën debutuese të kualifikuesve të Euro 2020.

Bilanci ishte tejet negativ me vetëm 4 fitore dhe 2 barazime në 15 ndeshje, duke kthyer shumë mbrapa Shqipërinë, që me De Biasin luajti në finalet e Europianit 2016 në Francë.

Të fundit që largohen pa shkëlqyer ishin Francesco Moriero dhe Fabrizio Miccoli. Aventura e ish-lojtarit të Interit dhe ish-yllit të Juventusit e Palermos me Dinamon zgjati vetëm tre muaj. Në total, dy ndeshje në krye të bluve, duke humbur në debutim dhe fitore ndaj Orikut. Më pas, largim mes polemikave, duke akuzuar se nuk u paguan nga drejtuesit e Dinamos.