Aksident tragjik me të paktën 13 viktima, pasi një SUV me 25 vetë përplaset me një kamion

Të paktën 13 vetë raportohet të kenë humbur jetën në një aksident të frikshëm në zonat rurale të Kalifornisë, pranë kufirit me Meksikën, pas një aksidenti mes një makine dhe një kamioni.

Sipas autoriteteve amerikane një SUV, Ford Expedition, me kapacitet maksimal prej 8 personash, ishte mbushur me të paktën 25 vetë, që dyshohet se ishin emigrantë të paligjshëm, duke hequr të gjithë ndenjëset e pasme. Sipas konsullatës meksikane në Kaliforni, të paktën 10 prej viktimave ishin shtetas meksikanë, por prejardhja e të tjerëve mbetet ende e pazbuluar, pasi shumica nuk kishin pasaporta apo karta identiteti.

Policia Rrugore tha se 13 persona kishin humbur jetën pas aksidentit mes makinës së emigrantëve dhe një kamioni me dy rimorkio, por Judy Cruz, shefe e urgjencës në qendrën rajonale mjekësore pranë kufirit tha se makina kishte 28 persona brenda, prej të cilëve 15 kishin humbur jetën.