Bima kurative që rritet vetëm në një ishull të Greqisë

I njohur si “fshati piktoresk”, Pirgi është padyshim një nga vendet më të bukura në botë. I vendosur në ishullin Kios, Greqi, fshati është një nga më të pasurit në Mesdhe dhe kjo jo vetëm falë turizmit, për të cilin shquhet, por edhe tregtimit të një bime të veçantë kurative. Për shekuj me radhë, ekonomia lokale është forcuar nga kultivimi i pemëve të quajtura “lentisc”, që prodhojnë një lloj rrëshire aromatike, historia e së cilës paraqitet në një muze në hyrje të fshatit.

Nikos Zervoudis, një fermer nga Pirgi, tregon për CNN Travel procesin e kultivimit të pemëve “lentisc”. “Gjatë dimrit, pema ka nevojë për krasitje të një teknike të veçantë, në mënyrë që rrëshira të mblidhet siç duhet. Por në pranverë i duhet një tjetër lloj pastrimi dhe nëse bie shi, vetëm një herë gjatë kësaj kohe, rrëshira do të shpërndahet dhe e gjithë korrja do të humbasë”.

Për kultivimin e kësaj peme ka pasur përpjekje edhe në Itali, Turqi e vende të tjera, por asnjë tentativë nuk ka rezultuar me sukses. Sipas legjendës lokale, kjo pemë mund të rritet vetëm në ishullin Kios, për shkak të Shën Isidorit, një marinar i krishterë në flotën Perandorake Romake, i cili u martirizua në Kios në shekullin e tretë dhe u tërhoq zvarrë nga kuajt, në terrenin e ashpër të ishullit. Kur pemët “lentisc” panë vuajtjen e tij, thuhet se lotuan dhe nga kjo u prodhua rrëshira kurative.

Sigurisht për shkencën ka një shpjegim të argumentuar që lidhet me kombinimin e tokës vullkanike të Kiosit me mikroklimën tepër të thatë dhe teknikat e praktikuar në breza për kultivimin e pemëve.  

Interesi për këtë rrëshirë aromatike, ka ardhur falë përfitimeve të saj shëndetësore. BE dhe UNESCO e ka njohur atë si një ilaç tradicional bimor për problemet e tretjes, ato frymore, kardiovaskulare, dermatologjike, alergjitë etj. Gjithashtu, bima ka gjetur përdorim dhe në produkte si ëmbëlsirat, çamçakëzët, koktejet, vajrat. Madje, myslimanët e përdorin atë gjatë Ramazanit si erëz në ushqim, dhe gjithashtu si një parfum.