Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

Nga A2 CNN
3 Mars 2021, 08:11 | Aktualitet
Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

Freedom House ka publikuar raportin vjetor të vitit 2021 për lirinë në botë, në të cilin krahasuar me një vit më parë Shqipëria ka humbur një pikë dhe vazhdon të jetë në listën e vendeve pjesërisht të lira. Në uljen e vlerësimit, sipas bashkautores së materialit, kanë ndikuar përdorimi i dhunës në protestat për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar në muajin maj, si dhe vrasjes së të riut Klodian Rasha nga një efektiv i policisë në muajin dhjetor.

Diskutohet sot në komisionin e Sigurisë projektligji për Gardën e Republikës

Sot, mban punimet Komisioni për Sigurinë Kombëtare, ku do të shqyrtohet projektligji për gardën e Republikës dhe propozimi i 4 deputetëve socialistë që lidhet me pezullimin e përkohshëm të vettingu-t në radhët e policisë për ta rifilluar kur autoritetet të kenë më shumë të dhëna për figurat që marrin në shqyrtim. Deri në dhjetor të vitit të kaluar, 32 efektivë kaluan në sitën e sistemit të drejtësisë.

Kurti: Kushtetuta nuk lejon bashkimin e Kosovës me Shqipërinë

Nuk është as momenti, as kushtet e duhura për një bashkim të Kosovës me Shqipërinë. Kjo përbën edhe deklaratën më të fundit të Albin Kurtit, i cili edhe një herë theksoi se kushtetuta e vendit nuk ia lejon diçka të tillë, nisur nga dy nene të saj. Por nëse e duam do të duhet të punojmë bashkarisht, derisa të shkojmë te referendumi në të ardhmen, tha ai, kur të dyja vendet të gjenden në gjirin e BE-së.

Vjosa Osmani vizitë zyrtare në Zvicër

Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani, zhvillon sot vizitën e parë zyrtare jashtë vendit që pas zgjedhjeve të 14 shkurtit. Destinacioni do të jetë Zvicra ku pritet të takohet me një sërë personalitetesh përfshirë edhe homologun e saj zviceran. Zvicra gjithashtu është ndër të parat vende që njohu pavarësinë e Kosovës më 27 shkurt të 13 viteve më parë.

Merkel mbledh krerët e landeve për masat e reja të Covid-19

Kancelarja gjermane Angela Merkel takohet sot me 16 kryeministrat e landeve për të diskutuar për masat e reja. Por sikurse citojnë mediat gjermane, në bazë të një drafti që është zbuluar nga dje, do të ketë lehtësira të vogla, por izolimi do të zgjatet deri më 28 mars. Luleshitësit, dyqanet e librave dhe kopshtarisë do të jenë në gjendje të rihapen, ndërsa bizneset e tjera do të mund të rihapen vetëm në zona ku incidenca është 35.

Dekreti i parë i Draghi-t: Shtyhen deri në Pashkë masat kufizuese

Mario Draghi firmosi dje dekretin e parë si kryeministri i ri i Italisë. Sipas këtij materiali, vendi shtyn masat kufizuese kundër përhapjes së virusit deri në festën e Pashkës. Kjo nënkupton ndalimet e brendshme, mbylljen e shkollave në zonat e cilësuara me ngjyrë të kuqe dhe ndalimin e lëvizjes nëpërmjet rajoneve.

Guvernatori i Teksasit heq të gjitha kufizimet për pandeminë

Pavarësisht se Donald Trump nuk është më president, në Amerikë ka ende shumë republikanë që mendojnë si ai, kur vjen puna tek ekonomia dhe pandemia. Në këtë pikë, guvernatori i Teksasit, Greg Abbot, njoftoi heqjen e të gjitha kufizimeve për pandeminë duke nisur nga e hëna e ardhshme. “Është koha për të hapur 100 për qind Teksasin”, tha ai.

“Reporterët pa kufij” kallëzojnë Princin e Kurorës Arabe

Shoqata “Reporterët pa kufij” ka dorëzuar një kallëzim penal ndaj Princit të Kurorës Arabe dhe disa drejtuesve të tjerë. “Kush është përgjegjës për përndjekje të gazetarëve në Arabinë Saudite, duke përfshirë vrasjen e Jamal Khashoggit, duhet të dënohet për krimet e kryera”, tha Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës “Reporterët pa Kufij”, Christophe Deloire.

A2 CNN Livestream

Dita jonë