Komenti për autobusët, Rakacolli: U keqkuptua, ishte këshillë praktike

Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli, e konsideron delikate dhe të vështirë situatën e krijuar nga pandemia në vend, por shpreson që me rastet që po ulen dhe procesin e vaksinimit të ketë filluar edhe ulja e epidemisë. E ftuar në Ditari në A2 CNN, zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, tha se deklarata e saj për hipjen e njerëzve në autobus është keqinterpretuar, por i qëndron mendimit për të mos hipur në autobusë kur është i ngarkuar. Ajo nuk përjashton detyrimin për kontrollet në transportin publik, por thotë se fizikisht është e pamundur për të gjithë autobusët.

“Ka ndodhur një keqkuptim dhe keqinterpretim për atë që jam shprehur. Se situata në autobusë është e ngarkuar, është vend ku mund të merret infeksioni dhe përgjigjja ime u është drejtuar qytetarëve dhe nuk është thënë përgjigje tjetër, që nëse e shihni që autobusi është plot mos hipni, se ju infektoni familjarët, por jo se nuk duhen shtuar kontrollet në autobusë. Ka qenë një këshillë praktike dhe është thënë qartazi që janë përcaktuar protokollet që ky transport të mos bëhet vatër infeksioni dhe jo çdo gjë të bazohet te protokollet. Ajo që më bën përshtypje është që fokusohemi te përgjigjet negative dhe jo te mesazhi. Kur e shohin që autobusët janë të ngarkuar të mos hipin, pavarësisht masave që ne marrim. Ndoshta me të drejtë është keqinterpretuar patjetër që duhet vëmendje e shtuar dhe nuk duhet të pranojnë të hipin të tjerë. Duhen më shumë kontrolle masa ndëshkuese edhe për operatorët. Është e pamundur që fizikisht që në çdo orar dhe autobus të çosh nga një kontrollor”.

Rakacolli sjell në vëmendje bashkëpunimin e shkëlqyer qytetar në fillimin e pandemisë, në një kohë që tani nuk po i respektojnë masat

“Në atë kohë ka qenë një bashkëpunim i shkëlqyer me qytetarët, pastaj nuk e di çfarë ndodhi dhe njerëzit nuk po i zbatojnë më masat. Sa vetë janë pa maska në rrugë apo të grumbulluar, apo në festa? Asgjë nuk arrihet me dhunë e masa, po nuk pati bindje”.

Duke folur për situatën aktuale të pandemisë në vend, Rakacolli theksoi se mesatarja e rasteve të reja ditore ka rënë nën 1 mijë, ndërsa raporti mes jetëve të humbura dhe infeksioneve ka mbetur në 1,7%.

“Është situatë delikate, e vështirë, por fatmirësisht këtë javë situata është e stabilizuar dhe numrat po shkojnë drejt uljes së lehtë. Shpresoj të kemi filluar të shkojmë në ulje të pandemisë. Indikatorët shihen me një ose dy javë dhe vlerësimet bëhen mbi bazën e indikatorëve. Mesatarja e rasteve të reja ditore ka rënë nën 1 mijë. Për sa i përket viktimave ka mbetur me dy shifra po të shohësh numrin e jetëve të humbura me të infektuarit, përqindja ka mbetur te 1.7%. Situatën e vlerësojmë me disa indikatorë. Jetët e humbura, urgjencat ditore, misionet e urgjencave dhe ndërhyrja na çon ne në vlerësim të situatës dhe masat që duhen marrë për përmirësimin. Vlerësimi është shumë global”.

Sa i takon ezaurimit të kapaciteteve spitalore, ajo u shpreh se në të gjithë vendin janë 1600 shtretër, por aktualisht nuk janë ezauruar shtretërit në 4 spitalet kryesorë Covid. Rakacolli theksoi se te spitali Covid 2 nuk ka asnjë rast të lehtë, por raste semintensive dhe intensive. Dhe kjo sipas saj vjen për shkak të paraqitjes në spital të pacientëve në gjendje të rëndë.

“Dihet që mjekimi i Covid nuk është specifik, ndërhyrje medikamentesh dhe përballje dhe ajo që thonë mjekët është kjo, që rastet paraqiten në gjendje të rëndë. Te Covid 2 janë raste semiintensiv, nuk ka raste të lehta janë raste që kërkojnë kujdes semiintensiv dhe intensiv. Ka mendime që virusi është bërë pak më agresiv. Dyshimet janë të klinicistëve dhe atyre që merren me sëmundjen dhe ata në gjendje të rëndë. Ne kemi në funksion në të gjithë  Shqipërinë 1600 shtretër dhe kemi shtretër që mund t’i shtojmë, por nuk besoj se me tendencën dhe vaksinimin, nuk besoj që do arrijmë të ezaurojmë këto kapacitet edhe 4 spitalet Covid nuk janë ezauruar kapacitetet”.

Rakacolli përjashtoi çdo ndikim politik në shtimin e masave kufizuese, pasi sipas saj vendimi i Komitetit të Ekeprtëve merret në bazë të indikatorëve dhe në funksion të shëndetit të qytetarëve.

“Jo, sepse gjithçka është në funksion të shëndetit të qytetarëve. Asnjëherë nuk kushtëzohemi nga rrethanat politike. Të gjitha masat që merren, merren të menduara në bazë të specialistëve epidemiologë, duke u bazuar në ato faktorë që thashë. Numri i lartë i vdekjeve reflektohet nga numri i rasteve të reja të infektimeve. Ne morëm masa shtesë për orën policore dhe mësimin online në shkollë të mesme në bazë të indikatorëve dhe hetimit epidemiologjik. Ne nuk mund të marrim masa shtesë kur nuk zbatohen masat që kemi marrë. Meqenëse rezultatet për këtë virus nuk mund të nxirren menjëherë, por duhet një kohë e caktuar për ta vlerësuar dhe kjo tendencë e qëndrueshme është për shkak të masave që kemi marrë. Shpresojmë që ta mbyllim këtë javë me shifra të ulëta ditore dhe procesi i vaksinimit do ta ndërpresë zinxhirin e transmetimit”.