Ku mund të investohen paratë në kohë pandemie?

Pavarësisht nëse kemi pak apo shumë, ku mund të investohen paratë në këtë periudhë aspak të favorshme?

Ekspertët treguan në “A2 Business” se cilat janë fushat ku duhet të përqendrohen qytetarët për investime:

Artan Gjergji, drejtor i Bursës shqiptare, ALSE, tha: “Depozitat nuk janë shumë instrument i leverdisshëm për qytetarët, pasi normat e interesit janë si kurrë më parë. Për ne ekonomistët, këto norma janë normale, por qytetari e ka të vështirë të kuptojë konjukturën e tregut dhe thjesht thotë që norma ka rënë në nivele jashtë mase modeste. Ekonomia dhe tregu ofrojnë hapësira dhe shanse të ndryshme për tipe investitorësh që janë të gatshëm të marrin risqe të ndryshme. Gjithmonë ka lloje biznesi që më tepër fitojnë në kohë krize, si farmaceutika dhe shërbimet mjekësore”.

Adrian Civici, ekspert për ekonominë, rektor i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, u shpreh: “Për momentin, bonot e thesarit janë alternativë e mirë, pavarësisht normës së ulët. Depozitat nuk kanë më interes, paratë në bankë janë vetëm çështje sigurie dhe garancie. Biznes që ka më shumë të ardhme janë shërbimet digjitale, informatike dhe gjithçka që është e lidhur me teknologjitë e reja”.

Ndërsa Erald Themeli, drejtor i Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë, theksoi se “vendimi për të hapur biznes ka risk tani, nuk është momenti për të hapur një biznes të vogël”.