Kurti mes Izraelit dhe Turqisë, kthen letrat e urimit, por nuk përmend ambasadën në Jerusalem

Kosova e sheh veten mes Izraelit dhe Turqisë, ndërsa tenton të mbajë një marrëdhënie të mirë me të dyja vendet. Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ktheu letrat e urimit që i erdhën nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.

Në asnjërën prej tyre nuk është përmendur çështja e vendosjes së ambasadës së Kosovës në Jeruzalem. Kurti nuk ka bërë ende të qartë qëndrimin e tij lidhur me zotimin e marrë përsipër nga qeveria Hoti në marrëveshjen e 4 shtatorit të kaluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, teksa Erdogan i ka bërë thirrje që të mos e implementojë këtë pikë të akordit.

Në letrën dërguar presidentit të Turqisë, kreu i Vetëvendosjes e falënderon atë për rolin që ka pasur shteti mik në kohët vendimtare për shtetin e Kosovës. “Kur qeveria jonë të formohet, synoj të zgjerojmë dhe thellojmë raportet tona përmes komunikimit dhe bashkëpunimit të hapur e të sinqertë”, shkruan Kurti.

Ndërsa kryeministrin Netanyahu e siguron se do ta zhvillojë vizitën në Izrael në një kohë të përshtatshme për të dyja palët dhe premton që të adresojë çështjet e komunitetit hebre në Kosovë. “Teksa shtetet tona po vendosin marrëdhënie diplomatike, synoj të zgjerojmë e thellojmë bashkëpunimin tonë në të ardhmen”, thekson Kurti në letrën e tij.

  • LAJMI I FUNDIT | Ministria e Shëndetësisë: 1 viktimë në 24 orët e fundit, 39 raste
  • LAJMI I FUNDIT | MSH: 71 pacientë në spitale, 7 në terapi intensive, asnjë në intubim
  • LAJMI I FUNDIT | Ministria e Shëndetësisë: 1 viktimë në 24 orët e fundit, 39 raste