Numërohet gjysma e votave me postë, KQZ drejt certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve në Kosovë

votimet 1100x620

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë është pranë shpalljes së rezultatit përfundimtar të votës së 14 shkurtit. Aktualisht, janë numëruar mbi 33 mijë vota të diasporës nga 56 000 gjithsej që kanë mbërritur me postë.

Lëvizja Vetëvendosje është partia që ka marrë më shumë vota, mbi 26 000 të tilla, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 2 800 vota dhe Partia Demokratike e Kosovës me 2 400 vota.

Një ditë më parë përfundoi dhe numërimi i votave me kusht dhe i personave me nevoja të veçanta, shumicën e të cilave i fitoi Lëvizja Vetëvendosje.

KQZ njofton se certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve do të bëhet pas përfundimit të numërimit të votave të diasporës. Kjo i hap rrugë formimit të qeverisë së re, pasi do të mësohet se sa deputetë do të ketë secila parti në Parlament.