Pse u rrit qarkullimi i parasë jashtë sistemit bankar? Ekspertët japin arsyet në A2 Business

Gjatë periudhës së pandemisë në vendin tonë ka ndryshuar edhe raporti i shqiptarëve me paranë. Në këtë periudhë është vënë se është rritur ndjeshëm sasia e parasë që qarkullon jashtë sistemit bankar. Ky tregues ka arritur nivelin më të lartë që prej vitit 2002, kur Banka e Shqipërisë ka filluar ta masë atë.

Sipas drejtorit të Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë, Erald Themeli, rritja e “masës totale monetare” në ekonomi, erdhi si instrument i politikave publike për përballimin e pandemisë. “Qeveria ndërmori një stimul relativisht të lartë fiskal, deficiti buxhetor iu afrua nivelit 110 miliardë lekë, dhe arsyeja e dytë është se kredia për sektorin privat pati rritje relativisht të shpejtë, në nivelin 7,8% në vit, ose rreth 40 miliardë lekë”, tha Themeli. “Kjo rritje e masës monetare, një pjesë ka përfunduar si depozita, kurse pjesa tjetër ka marrë formën cash në përputhje me preferencat e njerëzve”.

I pyetur nëse kjo sasi parash në qarkullim është vetëm formale, Themeli tha: “Çdo masë monetare në cash që qarkullon në ekonomi është para formale, sepse ka një kontabilizim të saktë të hyrjeve dhe daljeve. Ta heqim këtë iluzion që rritja e lekut në qarkullim shpjegohet me informalitetin. Vërtet kemi pasur rritje të parasë cash, por në asnjë mënyrë kjo nuk ka cenuar bilancet e bankave tregtare”.

Edhe kryeredaktorja e revistës “Monitor”, Ornela Liperi, thotë se është e vështirë të matet sasia informale e parasë cash. “Megjithatë një tregues indirekt që ne kemi ka qenë rritja shumë e madhe e transaksioneve në pasurinë e paluajtshme. Nëse do shohim treguesit e Prodhimit të Brendshëm Bruto, shohim që gjatë tremujorit të dytë, që ishte kulmi i karantinës, transaksionet në këtë sektor patën rritje me 6%, ndërkohë që ekonomia ra me 10%. Ka një valutë shumë të madhe që po hyn në vend që po investohet në ndërtim. Megjithatë ka tregues që kjo valutë konvertohet në lekë dhe hyn në qarkullim”, tha ajo.

Për ekspertin e ekonomisë, Adrian Civici, informaliteti është real, por nuk është një fenomen që lindi tani. “Pandemia ndikoi që të dalë më shumë në evidencë. Kur bëhet fjalë pr valutë ndikon paraja informale, përfshirë edhe atë kriminale që mund të futet në ekonomi, por edhe faktorë të tjerë. Edhe tregu monetar shqiptar në valutë ka qenë i mbushur”.

Drejtor i Bursës shqiptare, ALSE, Artan Gjergji, tha problematike është teprica që qarkullon jashtë sektorit bankar në valutë të huaj. “Është e pamatshme. Është problematikë që nuk është vetëm në Shqipëri. Fakti që është më e lartë, në gjykimin tim nuk ka të bëjë me faktin që shqiptarët prodhojnë më shumë para të jashtëligjshme. Por ka të bëjë me sjelljen e konsumatorëve, që janë më të pirur të përdorin paranë cash dhe ngurrojnë të përdorin kartat e debitit. I shërben ekonomisë paraja në qarkullim, por jo cash. Pra të njëjtën pagesë, por ta bësh përmes sistemit bankar”.