Raporti i Freedom House: Shqipëria dhe Kosova, pjesërisht të lira. Maqedonia e Veriut, histori suksesi

Organizata Freedom House ka publikuar raportin e saj vjetor të vitit 2021 për lirinë në botë, në të cilin krahasuar me një vit më parë, Shqipëria ka humbur një pikë dhe vazhdon të jetë në listën e vendeve pjesërisht të lira. Në uljen e vlerësimit, sipas bashkautores së materialit, kanë ndikuar, përdorimi i dhunës në protestat për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar në muajin maj, si dhe vrasja e të riut Klodian Rasha nga një efektiv i policisë në muajin dhjetor.

“Ne pamë rënie në lirinë e grumbullimit, për shkak të dhunës midis protestuesve dhe forcave të sigurisë në maj, gjatë shembjes së ndërtesës së Teatrit Kombëtar. Një tjetër arsye për shqetësim ishte kur në dhjetor policia vrau një qytetar që kishte shkelur urdhrin për orën policore. Këto kontribuuan për rënien në kategorinë e lirisë së grumbullimit”, tha bashkautorja e raportit Amy Slipowitz.

Kosova pësoi një rënie prej dy pikësh nga 56 në 54, që u atribuohen rënieve në kategoritë e procesit elektoral dhe pluralizmit politik.

“Kjo kishte të bënte me miratimin e qeverisë së kryeministrit Hoti nga një shumicë me një vote diferencë të një deputeti që kishte qenë i dënuar”, thotë Amy Slipowitz, bashkautore e raportit dhe menaxhere për kërkimet në Freedom House.

Ndërkohë, Maqedonia e Veriut ishte një nga historitë e suksesit me tri pikë përmirësim nga një vit më parë.

 “Qeveria reformiste e Maqedonisë së Veriut u rizgjodh dhe institucionet e saj kryesisht e kanë rimarrë veten nga dëmet e shkaktuara nga ish-kryeministri, Nikola Gruevski”, thuhet në raport.

Po kështu, përparime ka pasur edhe në Malin e Zi, pavarësishtë rënies së Ballkanit, thuhet në raport.

Ndërkaq, liria në Shtetet e Bashkuara ra me tri pikë dhe në dekadën e fundit ka rënë 11 pikë, një rënie e thellë që tashmë e vendos vendin më pranë shteteve me institucione të dobëta, si Rumania dhe Panamaja.

Dëmi më i madh për demokracinë amerikane thotë zonja Repucci, ishin përpjekjet e presidentit Trump për të përmbysur vullnetin e votuesve amerikanë dhe pretendimet e tij të pabaza për mashtrime në zgjedhje.

Freedom House përmend si një nga shqetësimet kryesore rolin e Kinës, si në fshehjen e përmasave të pandemisë, ashtu edhe në përpjekjet për shtrirjen e ndikimit në botë.