Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 50%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 50%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

Tanke, bunkerë, propagandë dhe turistë... vendi që ndan dhe bashkon Kinën me Tajvanin

Nga A2 CNN
3 Mars 2021, 17:47 | Lifestyle

Në faqen e një kodre ne kepin veriperëndimor të ishullit Kinmen të Tajvanit, një kullë betoni me 48 altoparlantë qëndron ende në këmbë. Dikur ishte një makinë propagandistike, prej nga transmetoheshin këngë të artistes tajvaneze Teresa Teng që dëgjoheshin me një rreze prej 10 kilometrash, me synimin për të rënë edhe në veshin e banorëve të qytetit kinez, Xiamen.

E ndërtuar në vitin 1967, kulla ishte instrument kyç gjatë Luftës së Ftohtë mes Partisë Komuniste në Kinë dhe Kuomitang, partisë që sundonte në Tajvan. Aty transmetoheshin edhe fjalime politike, në disa prej të cilëve u bëhej edhe ftesë ushtarëve kinezë që të dezertonin. Në anë tjetër, altoparlantët e Xiamenit bënin të njëjtën gjë.

Pas Luftës Civile në Kinë dhe fitores së komunistëve, nacionalistët e Kuomitangut u arratisën në Tajvan. Edhe pse janë dy entitete shtetërore të ndryshme, Kina dhe Tajvani ndajnë shumë nga trashëgimia kulturore dhe historike. Pekini pretendon se Tajvani është pjesë integrale e territorit të tij dhe reagon ashpër ndaj kujtdo që thotë të kundërtën.

Por sot, edhe pse tensioni mes dy shteteve mbetet i lartë, zona është shndërruar në një pikë mjaft tërheqëse turistike. E çliruar nga kontrolli ushtarak 43-vjeçar (1949-1992) aty mund të gjesh relikte të shekullit të kaluar, që ngjajnë edhe me bunkerët e ngritur në Shqipëri gjatë regjimit komunist.

Sot ishulli Kinmen krahasohet me zonën e demilitarizuar mes dy Koreve. Në vitin 2019 vendin e vizituan më shumë se 2,5 milionë turistë. Rreth 41% e tyre ishin kinezë, shifër që pritet të rritet edhe më shumë në të ardhmen, pavarësisht frenimit për shkak të pandemisë.

Përtej trashëgimisë ushtarake, turistët gjejnë aty atraksione të tjera ekzotike dhe të veçanta, si fortesa e ishullit “Jiangongyu”, rruga e vjetër apo “Muri i Madh Kinez në miniaturë”.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli