Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Vrasja e Klodian Rashës, mbyllet hetimi. Prokuroria merr të pandehur policin për "vrasje me dashje"

Nga A2 CNN
3 Mars 2021, 11:14 | Kronikë
Vrasja e Klodian Rashës, mbyllet hetimi. Prokuroria merr të pandehur

Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet lidhur me vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha, duke marrë të pandehur punonjësin e policisë Nevaldo Hajdaraj. Efektivi i forcave “Shqiponja” do të përballet në gjykatë me akuzën e “vrasjes me dashje”, akuzë që iu komunikua në qelitë e paraburgimit.

Referuar hetimit të kryesuar nga prokurori Ardian Braho, efektivi Hajdaraj ka qenë i ndërgjegjshëm se Rasha nuk ka pasur armë në dorë në momentin e krimit dhe se hapja e zjarrit mund të ishte shmangur.

Prova kryesore e prokurorisë në zbardhjen e ngjarjes ishin pamjet e fiksuara nga kamerat e sigurisë në zonë, mes të cilave edhe ajo që ka regjistruar momentin e të shënave. Nga analizimi i pamjeve filmike ka rezultuar se, pasi ndiqet nga punonjësit e policisë për disa metra, Rashaj është kapur nga ana e efektivit Hajdaraj pak hapa larg vendit të ngjarjes.

Sipas pamjeve, Hajdaraj e ka kapur nga duart të riun dhe ka pasur mundësinë të shikojë nëse kishte apo jo armë. Por, pasi ka shpëtuar dhe tentuar të largohet, drejt të riut është hapur zjarr. Hetimi i ka dhënë fund edhe dyshimeve të ngritura pas ngjarjes lidhur me një pistoletë të gjetur gati 200 metër larg vendit ku u qëllua Rasha, në trajektoren e ndjekur prej tij kur u ndoq nga policët. Sipas prokurorisë, në armën tip “Zoraki”, e gjetur në një pellg me ujë, nuk u gjet asnjë gjurmë gishtash, apo mbetje genetike, që mund ta lidhte atë me Klodian Rashën.

Pas ngjarjes, efektivi Hajdaraj u dyshua për akuzën e “vrasjes në kapërcim të mbrojtjes së nevojshëm”, por pasi u provua se 25-vjeçari Rasha ishte i paarmatosur, prokuroria ndryshoi qëndrim duke e akuzuar për “vrasje me dashje”. Për këtë akuzë, Kodi Penal parashikon dënime nga 10 në 20 vite burg.    

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani