Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

MB DROGA.duplicate frame 121 1100x620

Shqipëria është vendi i fundit në Evropë për sa i takon të ardhurave për frymë. Sipas një raporti të Eurostat, vendi ynë në vitet 2018 dhe 2019 regjistroi një të ardhur mesatare vjetore për frymë në vlerën e 4500 eurove, 700 më pak se Maqedonia e Veriut dhe 1600 më pak se Serbia. Rajonin e kryeson Mali i zi me të ardhura 7500 euro, ndërkohë që mesatarja vjetore e BE është 31 mijë euro. Sa i takon zonave të vendit, veriu paraqitet më keq me 3600 euro për frymë pastaj jugu me 4000 euro.

Raporti për pastrimin e parave, DASH: Shqipëria bëri pak përpjekje për ta penguar

Një tjetër tërheqje e vëmendjes i vjen Shqipërisë nga Departamenti Amerikan i Shtetit, përsa i takon kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Në raportin vjetor, për kontrollin e drogave thuhet se: “Sundimi i dobët i ligjit, korrupsioni dhe një shkallë e lartë e papunësisë janë faktorët kryesorë të problemit të kontrollit të drogës në Shqipëri. Grupet shqiptare të krimit të organizuar vazhdojnë të pastrojnë të ardhurat në Shqipëri dhe të kontribuojnë në korrupsionin në vend”.

Kurti përfundon në Gjirokastër vizitën në Shqipëri

Kreu i Vetëvendosjes në Kosovë, Albin Kurti, përfundon vizitën e tij në vendin tonë ku sot bën ndalesën e fundit në Gjirokastër për të përkrahur kandidatin e pavarur në zgjedhjet e 25 prillit. Dje, ndërkohë, nuk la pa thumbuar politikën vendase, sipas të cilit, e ka lënë Shqipërinë në një ndër vendet më të varfra të Evropës që nuk po del dot nga tranzicioni. “Duhet të vëmë në karrigen e pushtetit ata që do e përdorin atë për të shërbyer dhe jo pushtuar”, tha ai.

Kosova diskuton sot masat shtrënguese për Covid-19

Në Kosovë mblidhen sot ekspertët për të rishikuar masat shtrënguese pas shtimit të rasteve me koronavirus. Lajmin e konfirmoi ministri i Shëndetësisë, Armen Zemaj. Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në vazhdimësi ka kërkuar ashpërsim të masave.

Shpallen sot rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 14 shkurtit në Kosovë

Po në Kosovë pritet të shpallen sot rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 14 shkurtit, pasi mbrëmë u mbyll edhe numërimi i votave të Diasporës të dërguara me postë. Në total, ishin 32 mijë vota me kusht dhe rreth 57 mijë të dërguara me postë njoftuan autoritetet në përfundim të procesit. Me shpalljen e rezultatit nuk mbyllet procesi, pasi tani fillon periudha për ankesat nga partitë politike.

Zaev fiton votëbesimin në Kuvend

Qeveria e Zoran Zaev fitoi votëbesimin në Kuvend pas mocionit të kërkuar nga vetë ai. Gjithçka erdhi si pasojë e pretendimeve të opozitës së VMRO-DPMNE e cila pretendonte se zotëronte shumicën dhe kundërshtonte qeverinë e tij, mirëpo 62 votat e marra mbrëmë konfirmuan të kundërtën. Në momentin e votimit opozita u largua nga salla.

Austria dhe Danimarka kërkojnë vaksina nga Izraeli

Austria dhe Danimarka nuk do të varen më vetëm nga Bashkimi Evropian për sigurimin e vaksinave kundër koronavirusit. “Nuk duhet të jemi më të varur vetëm nga BE në prodhimin e vaksinave të gjeneratës së dytë”, tha kancelari austriak, Sebastian Kurz, i pyetur nga Reuters. Për këtë çështje të dy liderët takohen sot në Izrael me Beniamin Netanyahu për të krijuar një koorporatë për prodhimin e mëtejshëm të vaksinave që do të anashkalonte certifikimin nga Agjencia Evropiane e Barnave.

OBSH kundër pasaportave të koronavirusit

OBSH-ja është kundër futjes në qarkullim të pasaportave speciale për të vaksinuarit me qëllim lirinë e lëvizjes mes shteteve. “Për momentin, diçka e tillë nuk është e këshillueshme”, tha zëdhënësja e organizatës. Përgjigjja erdhi pas deklaratës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, se Europa do të dalë me një qëndrim zyrtar brenda këtij muaji.

Blinken për marrëdhënien me Kinën: Amerika do të marrë mbrapsht atë që i takon

“Marrëdhënia jonë me Kinën dhe mënyra si i ndërtojmë ato, janë prova më e madhe gjeopolitike e vendit.” Kjo është deklarata më e fundit e sekretarit të shtetit Anthony Blinken . “Kjo kërkon angazhim në diplomaci dhe organizatat ndërkombëtare, sepse atje ku jemi tërhequr, Kina ka mbushur boshllëkun”, tha Blinken. Në këtë pikë, ai theksoi se Amerika do të punojë të marrë mbrapsht atë që i takon me të drejtë.

Akuzat për ngacmim seksual, guvernatori i Nju-Jorkut: Nuk është e vërtetë, nuk jap dorëheqjen

Në SHBA, ka nisur një hetim për ngacmim seksual ndaj guvernatorit demokrat të Nju-Jorkut, Andrew Cuomo. “Nuk kam bërë kurrë asnjë ngacmim të tillë, por e gjitha kjo është në vazhdën e akuzave ndaj meje që nisën që në periudhën e pandemisë”, tha ai. Duke kërkuar falje, i kërkoj prokurorëve ta çojnë çështjen deri në fund, pasi e vërteta i intereson të gjithëve në këtë situatë. Deri atëherë, nuk kam ndërmend të jap dorëheqjen nga posti që mbaj”.