Hidrocentrali i ri, qeveria miraton projektligjin për ndërtimin e Skavicës

MBI SKACIVA frame 221 1100x620

Qeveria i ka dhënë dritën jeshile nisjes së punës për ndërtimin e hidrocentralit të Skacivës.

Në mbledhjen e fundit të ekzekutivit, është miratuar projektligji i cili autorizon kompaninë Bechtel të projektojë dhe të ndërtojë hidrocentralin e parë të kaskadës së Drinit.

Ndërtimi i këtij hidrocentrali mori dritën jeshile në 3 tetorin e vitit 2020, kur u nënshkrua edhe marrëveshja me SHBA-në për financimin e projektit. Projektligji në fjalë do të shkojë për miratim në Kuvend.

Projektligji i Qeverisë

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pikat 1 dhe 2, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Neni 1
Qëllimi

Qëllimi i këtij ligji është të autorizojë dhe të përcaktojë procedurën e veçantë për negociimin, ekzekutimin dhe miratimin e kontratës me shoqërinë “Bechtel International, Inc.” (në vijim, Bechtel), ose një filial të tij, për projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, bazuar në shprehjen e interesit paraprak të depozituar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Neni 2
Struktura e kontratës

  1. Kontrata me Bechtel-in të ndahet në dy faza:

a) kontrata e fazës së parë, e cila do të përfshijë aktivitetet paraprake të punës që do t’i mundësojnë Bechtel-it të paraqesë një propozim tek autoriteti kontraktues për kontratën e fazës së dytë dhe të ndihmojë autoritetin kontraktues e Këshillin e Ministrave të Republikës së Shqipërisë në sigurimin e mbështetjes financiare për projektin; dhe
b) kontrata e fazës së dytë, që konsiston në projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës.

  1. Kontrata e fazës së parë të përfshijë realizimin e veprimtarive të mëposhtme:

a) Matje topografike dhe studime hidrologjike në mbështetje të zhvillimit të projektimit;
b) Studime dhe inspektime gjeoteknike në terren;
c) Zhvillimin e strategjisë për realizimin e projektit;
d) Rishikimin dhe finalizimin e vlerësimit të ndikimit mjedisor e social;
e) Përgatitjen e projektit teknik, përfshirë përzgjedhjen e furnitorit të turbinave, me qëllim preventimin e kostove dhe të sasive; dhe
f) Shërbime të tjera të dakordësuara për të mundësuar ecurinë e zhvillimit të projektimit të hidrocentralit të Skavicës.

  1. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare kryen oponencë për veprimtaritë e fazës së parë të paraqitura nga Bechtel-i vetë dhe/ose me anë të institucioneve përgjegjëse shqiptare. Kostoja për mbulimin e kontratës së fazës së parë mbulohet nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare.

Neni 3
Procedura e negociimit

  1. Kontrata e fazës së parë dhe kontrata e fazës së dytë të nënshkruhen nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare në cilësinë e autoritetit kontraktues. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë mbikëqyr gjithë procesin nga firmosja e marrëveshjes dhe deri tek ekzekutimi i saj.
  2. Procedura e negociimit për finalizimin e kontratës së fazës së parë të zhvillohet nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare dhe të fillojë brenda 5 (pesë) ditëve nga dita kur Bechtel-i do të dorëzojë pranë Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare propozimin zyrtar lidhur me kontratën e fazës së parë.
  3. Propozimi zyrtar i Bechtel-it të dorëzohet 4 (katër) deri në 6 (gjashtë) javë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, sipas nenit 5 të tij. Palët do të negociojnë dhe dakordësojnë kushtet e kontratës me Bechtel-in brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga fillimi i negociatave, në përputhje me këtë pikë ose një periudhë më të gjatë të dakordësuar bashkërisht nga Bechtel-i dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Në rast se palët nuk mund të finalizojnë kontratën e fazës së parë brenda afatit të përcaktuar në këtë pikë ose afatit të zgjatur me dakordësinë e përbashkët, negociatat për kontratën do të konsiderohen të mbyllura, pa asnjë kosto të shkaktuar ndërmjet palëve.
  4. Procedura e negociimit për fazën e dytë të kontratës të zhvillohet nga Komisioni i Negociimit, i krijuar me vendim të Këshillit të Ministrave, me përfaqësues të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe nga ministri të tjera të linjës ose organe të tjera sipas përcaktimit në këtë vendim. Vendimi i Këshillit të Ministrave do të miratojë krijimin e Komisionit të Negociimit gjatë ekzekutimit të kontratës të fazës së parë, por jo më vonë se 10 (dhjetë) ditë nga dita e dorëzimit të propozimit zyrtar të Bechtel-it për kontratën e fazës së dytë pranë Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, propozim ky, i cili do të përfshijë programin dhe kalendarin e punëve, si dhe kushtet tregtare të kontratës. Komisioni i Negociimit do të fillojë punën menjëherë pas hyrjes në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave për krijimin, i cili do të përcaktojë anëtarësinë e Komisionit të Negociimit, kompetencat, objektin e punës dhe procedurën e vendimmarrjes.
  5. Komisioni i Negociimit do të negociojë dhe dakordësojë kushtet e kontratës me Bechtel-in për fazën e dytë lidhur me projektimin e ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditësh nga krijimi i tij, në përputhje me pikën 3, të këtij neni, ose brenda një afati më të gjatë të dakordësuar bashkërisht nga Bechtel-i dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
  6. Anëtarët e Komisionit të Negociimit do të sigurojnë të gjitha pëlqimet dhe miratimet e brendshme nga ministritë e strukturat përkatëse përpara se drafti përfundimtar i negociuar i kontratës për projektim e ndërtim dhe raporti i negociatave t’i paraqitet autoritetit kontraktues për nënshkrim. Në rast se palët nuk mund të finalizojnë kontratën brenda periudhës së përcaktuar në pikën 5, të këtij neni, ose brenda periudhës së zgjatur me dakordësinë e përbashkët, Komisioni i Negociimit do të përgatisë dhe paraqesë pranë autoritetit kontraktues dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë procesverbalin për ecurinë e negociatave dhe përfundimin e tyre.
  7. Komisioni i negociimit të kontratës mund të asistohet nga një konsulent i përzgjedhur nga Avokatura e Shtetit, sipas procedurave të përcaktuara për këtë qëllim për Avokaturën e Shtetit.

Neni 4
Nënshkrimi dhe miratimi i kontratës

  1. Autoriteti kontraktues dhe Bechtel-i do të nënshkruajnë kontratën e fazës së parë brenda 3 (tri) ditësh pune nga data e finalizimit të kushteve të saj. Kontrata e fazës së dytë do të nënshkruhet nga autoriteti kontraktues brenda 3 (tri) ditësh pune nga data e finalizimit të kushteve të saj nga Komisioni i Negociimit.
  2. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do t’i paraqesë për miratim Këshillit të Ministrave kontratën e nënshkruar lidhur me fazën e parë të projektit brenda 3 (tri) ditësh pune nga nënshkrimi i saj. Data e hyrjes në fuqi të kontratës për fazën e parë të projektit do të jetë data e hyrjes në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave që miraton kontratën.
  3. Në rastin e kontratës për fazën e dytë të projektit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të përgatisë dhe dërgojë në Këshillin e Ministrave projektligjin për miratimin e kontratës, brenda 10 (dhjetë) ditësh pune nga nënshkrimi i saj, në përputhje me pikën 1, të këtij neni. Kontrata për fazën e dytë të projektit do të miratohet nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë dhe do të hyjë në fuqi në datën e hyrjes në fuqi të ligjit të miratuar nga Kuvendi.

Neni 5
Realizimi i projektit

  1. Zbatimi i kontratës për fazën e parë të projektit do të fillojë menjëherë pas hyrjes në fuqi, në përputhje me nenin 4, të këtij ligji. Kjo kontratë do të përcaktojë shërbimet e detajuara që kryen Bechtel-i gjatë fazës së parë. Produktet e fazës së parë, sipas pikës 2, të nenit 2, të këtij ligji, miratohen nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë.
  2. Kontrata e fazës së dytë për projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës do të zbatohet në përputhje me kushtet e saj menjëherë pas hyrjes në fuqi së saj në përputhje me nenin 4, të këtij ligji.
  3. Bechtel-i mund të caktojë njërin nga filialet e tij për të nënshkruar kontratën me autoritetin kontraktues, me miratimin e këtij të fundit. Një “filial”, sipas kësaj pike, ka kuptimin e një shoqërie nën kontrollin direkt ose indirekt të Bechtel-it.
  4. Pas miratimit të kontratës me Bechtel-in për projektimin dhe ndërtimin e HEC-it Skavicës, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë krijon një njësi të veçantë për zbatimin e këtij projekti. Ministri cakton kryetar dhe anëtarë të njësisë së zbatimit të projektit ekspertë inxhinierë, juristë dhe ekonomistë, që ndjekin zbatimin e kontratës së bashku me Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare. Paga e kryetarit dhe e anëtarëve caktohet nga ministri, duke marrë për bazë pagën e drejtuesve të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare.

Neni 6
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

  • LAJMI I FUNDIT | Mblidhet kryesia e PD, Basha: Në parti ka vend për të gjithë
  • LAJMI I FUNDIT | Basha: Ne s'mund të kemi vizione të ndryshme për vjedhjen e zgjedhjeve
  • LAJMI I FUNDIT | Basha: Jam shënjestra e parë e fushatës denigruese