Izolim për të frenuar valën e tretë të fortë të Covid-19, ashpërsohen kufizimet në Hungari

Hungaria ashpërsoi kufizimet anticovid për të frenuar kurbën e një vale të tretë shumë të fuqishme të pandemisë. Qeveria njoftoi mbylljen e shumë dyqaneve dhe të shkollave fillore teksa mësimi kaloi online.

Zyra e kryeministrit Viktor Orban bëri të ditur se vala e tretë është më e keqja që vendi ka përjetuar deri më tani dhe se qeveria ka vendosur të zbatojë masën e izolimit për të parandaluar humbjet e jetëve njerëzore dhe për të shmangur rihapjen e vonë gjatë këtij viti.

“E reja e valës së tretë është se tani ne kemi një vaksinë. Imunizimi po shkon mirë, dhe në këtë drejtim mund të themi se jemi të tretët në BE, por javën e ardhshme do të jemi vendi që ka vaksinuar më shumë brenda bllokut. Por as kjo shpejtësi nuk është mjaftueshëm për të ndaluar përhapjen e virusit, veçanërisht varianteve të reja”, tha Gergely Gulyas, shef i stafit të kryeministrit në Hungari.

Të gjitha bizneset në Hungari do të ulin qepenat, përveç supermarketeve, farmacive, furrave të bukës dhe pikave të karburantit. Qeveria e drejtuar nga Orban u has me kritika të shumta ditëve të fundit pasi niveli i rasteve të reja preku shifrën më të lartë në 3 muaj.

Që prej nëntorit të kaluar, Hungaria luftoi pandeminë koronavirus me mbylljen e restoranteve dhe hoteleve si dhe me vendosjen e shtetrrethimit gjatë natës, në mënyrë që të mos kufizohej ekonomia, por kjo strategji nuk ka funksionuar.

  • LAJMI I FUNDIT | Mblidhet kryesia e PD, Basha: Në parti ka vend për të gjithë
  • LAJMI I FUNDIT | Basha: Ne s'mund të kemi vizione të ndryshme për vjedhjen e zgjedhjeve
  • LAJMI I FUNDIT | Basha: Jam shënjestra e parë e fushatës denigruese