KLGJ shtyn me një javë seancën ndaj gjyqtares së Krujës, Enkeleda Hoxha

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur të shtyjë me një javë seancën për gjyqtaren e Krujës, Enkeleda Hoxha, pavarësisht debateve dhe kundërshtive të kreut të Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë.

Kreu i KLGJ, Naureda Llagami, tha se nuk pranohej kërkesa e avokatit të gjyqtares, për thirrjen e dëshmitarëve dhe marrje provash. “Ajo që pretendohet të provohet me prova nuk ka lidhje me objektin e hetimit disiplinor. Vendimi është unanim”, tha ajo. Ndërsa gjyqtarja Hoxha tha se kërkon të përgatisë parashtrimin tim mbi këtë procedim disiplinor.

Kreu i LD, Metani, tha se nuk shite arsye ligjore për shtyrje sepse avokati ka qenë prezent në çdo seancë dhe ka bërë parashtresën dhe ka paraqitur pretendimet në emër të klientes së tij. “Por në kuadër të respektit të gjendjes në të cilën ndodhet magjistratja, tentoj të jem mirëkuptues ndaj kërkesës së saj dhe shprehem pozitivisht, por jo më shumë se disa ditë shtyrja”.

Gjyqtarja Hoxha u shoqërua fizikisht në KLGJ, pasi është në masën e sigurisë “arrest me burg”. Më 2 mars, Gjykata e Posaçme e Apelit nuk pranoi kërkesën e saj për të dalë nga qelia, por la në fuqi masën e sigurisë ndaj saj, avokatit Aldo Tabaku, kryesekretares Manuela Mallkuçi dhe shtatë të tjerëve, të dyshuar për “korrupsion”. Sipas SPAK, të dyshuarit kishin ndërtuar një skemë të mirëfilltë kriminale, sipas së cilës të dënuarit e burgut të Fushë-Krujës, përfitonin ulje dënimi duke dhënë ryshfete nga 6 në 12 mijë euro.