Partia e parë që nga koha e nazizmit që do të spiunohet nga Shërbimi Informativ Gjerman

Partia Alternative für Deutschland (AfD) është zyrtarisht në përgjim nga Shërbimi i Brendshëm Informativ (BfV), pasi dyshohet se po përpiqet të minojë kushtetutën demokratike të Gjermanisë.

Katër vite pasi u bë partia e parë kundër emigracionit që arrinte të zinte vende në parlamentin gjerman, AfD bëhet kështu edhe e para që prej fundit të epokës naziste në vitin 1945, që vihet nën këtë lloj monitorimi.

AfD u zuri vend në Bundestag në vitin 2017 duke marrë mbështetjen e votuesve të mërzitur me politikën e Angela Merkel për të lejuar futjen e 1 milion emigrantëve në vend. Por, është kritikuar së tepërmi nga partitë e tjera që thonë se retorika e saj ka rritur urrejtjen dhe ka shtuar rastet e dhunës kundër emigrantëve.

Vendimi i Shërbimit Informativ vjen pas shqyrtimit prej 2 vitesh të platformës politike të partisë. “Agjenda është e qartë. Fillimisht hapën një rast ndaj nesh, tani jemi të dyshuar nën mbikëqyrje, dhe në një moment do të kërkohet që të përjashtohemi”, tha Alexander Gauland, kreu i grupit parlamentar të AfD. “Falë Zotit këtë vendim do ta marrë Gjykata Kushtetuese dhe jo Shërbimi Informativ”.

Në zgjedhjet e vitit 2017, AfD mori 12,6% të votave dhe u bë partia e tretë më e madhe në Bundestag. Gjithashtu, ajo ka përfaqësues në të 16 parlamentet e landeve të Gjermanisë. Por, në disa sondazhe të fundit del që mbështetja për të ka rënë në 9%, sidomos pas kundërshtimit të masave të marra nga autoritetet për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Katër vite më parë, qeveria gjermane nuk arriti të merrte miratimin e Gjykatës Kushtetuese për përjashtimin e partisë neonaziste Nacional Demokratike. Gjykata tha se, edhe pse kishte ngjashmëri në ideologji me Partinë Naziste të Adolf Hitlerit, kishte fituar vetëm disa vende në asambletë rajonale dhe ishte shumë e vogël në numër për të rrezikuar demokracinë.