Pas 24 vitesh, rregullore e re për burgjet në Shqipëri

Pas 24 vitesh, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka sanksionuar në vendim organizimin dhe funksionimin e saj. Në vendimin e miratuar nga Këshilli i Ministrave, specifikohet mënyra e re e organizimit duke shfuqizuar atë të 20 shkurtit të vitit 1997 për strukturën dhe organikën e administratës së përgjithshme të burgjeve.

Në vendim parashikohet se drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve financohet nga buxheti i shtetit ndërsa miratohet si zë i veçantë në buxhetin e Ministrisë së Drejtësisë. Mes shumë detyrave të tjera ajo që vihet re është dhe një element i rëndësishëm i hyrë së fundmi në funksionimin e burgjeve në Shqipëri. Feja dhe praktikimi i saj është një e drejtë e çdo personi ndaj dhe vendimi i Këshillit të Ministrave parashikon dhe Lidhjen e marrëveshjeve me komunitete fetare të njohura ligjërisht.

Veç kësaj sipas vendimit përgjegjësitë e saj janë në Organizimin e punës për të garantuar funksionimin e burgjeve, trajtimin e personave të burgosur në përputhje me standardet ndërkombëtare si dhe garantimin e sigurisë dhe rendit në këto institucione.

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve emërohet, lirohet ose shkarkohet nga detyra me vendim të Këshillit të Ministrave me propozimin e ministrit të Drejtësisë. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, struktura dhe organika e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale dhe e Policisë së Burgjeve, miratohen me urdhër të Kryeministrit në bazë të propozimit të ministrit.