Pse nuk u bë publik takimi Rama-Kurti? Bojken Abazi: I takonte Ramës, nuk i di arsyet pse nuk e bëri

“Di që ftesa ka ardhur nga Rama, dhe Kurti ka mbajtur qëndrimin që në këtë vizitë, bërjen publike të takimit, ta bëjnë ata që e kanë pritur”. Këtë përgjigje dha kreu i Vetëvendosjes në Shqipëri, Bojken Abazi, i cili kandidon në qarkun e Tiranës si kandidat i pavarur në zgjedhjet e 25 prillit. Sipas Abazit, presidenti Meta dhe kreu demokrat, Lulzim Basha, e bënë publik takimin, por nuk di arsyet pse kryeministri Rama zgjodhi të mos e bëjë publik.

Duke komentuar vizitën e Kurtit në Shqipëri, Abazi theksoi se fitorja e tij në Kosovë ka sjellë edhe një valë entuziazmi në Shqipëri. Por, sipas tij, shqiptarët duhet të lëvizin vetë se shpëtimi nuk vjen vetëm nga Vetëvendosja.

“Këtë e shoh në disa fshatra të thella të Përmetit dhe Gjirokastrës. Shumë qytetarë në Shqipëri po e përqafojnë si projekt duke ndjerë frymën e nacionalizmit progresist, i ndërthurur me modelin ekonomik. Shqiptarët e Shqipërisë duhet të lëvizin se nuk do të na vijë shpëtimi nga anëtarët e Vetëvendosje, por është momenti që shqiptarët e lodhur në këto 30 vite, të përfshihen dhe të kalojnë nga dëshira te vullneti”.

Ardhja e Kurtit në Shqipëri dhe mbështetja për kandidatët e Vetëvendosjes nuk është e re për politikanët në të dyja anët e kufirit, por e reja, sipas tij, është që kjo po bëhet publike. Sipas tij, çështjet e Shqipërisë janë edhe çështje të Kosovës dhe anasjelltas.

“Politikanë të caktuar kanë mbështetur kandidatë të caktuar në të dyja anët e kufirit. E reja është që ne po e bëjmë publikisht këtë gjë dhe nuk kemi gjë për të fshehur. Çështjet e Shqipërisë janë edhe çështje të Kosovës dhe anasjelltas nga ana tjetër, Kurti është nënshtetas i Shqipërisë.”

Sa i takon deklaratës së Albin Kurtit dje në Tiranë, se do të bashkëpunojë me të gjithë politikanët shqiptarë, Abazi theksoi se për liderin e Vetëvendosjes ka admirim dhe frikë.

“Për Kurtin ka admirim dhe frikë, admirim se VV për 16 vjet është shtypur në mënyrë të dhunshme nga regjimi në Kosovë dhe deri te vrasja e aktivistëve. Nuk ka bërë kompromise, njerëzit nuk janë pasuruar në Vetëvendosje, dhe kush e ka ndjekur e admiron, por kjo detyron dikë të shohë veten në pasqyrë dhe aty imazhi nuk del siç e kishte menduar e kjo mbase i tremb. Ekziston frika se mos rritemi më shumë se ç’duhet.”

Bojken Abazi tha se është në pritje të KQZ-së për zyrtarizimin e kandidaturës së tij në qarkun e Tiranës.