Vrasja e Taulant Beqirajt në Vlorë, Policia shpall në kërkim dy persona

vrasja vlore taulant beqiraj gjikaj manaj 1100x620
Viktima, Taulant Beqiraj, pas ekzekutimit

Policia e Vlorës ka shpallur në kërkim dy persona, në lidhje me vrasjen, e një dite më parë në Vlorë, të Taulant Beqirajt.

Elton Hajnaj dhe Skerdjan Gabriani janë dy personat e shpallur në kërkim, ndërkohë pak momente pas ekzekutimit të Beqirajt u arrestua edhe një prej autorëve të dyshuar të ngjarjes, Andi Jonuzaj.

Nga pamjet e sigluara nga A2 që tregojnë momentet e ekzekutimit, duken dy persona të cilët afrohen drejt Beqirajt, dhe ndërsa njëri i flet, tjetri nxjerr armën dhe e qëllon me armë. (VIDEO)

Beqiraj ka përdorur më parë edhe mbiemrin Manaj, ndërsa në trup iu gjet një kartë identiteti me emrin, Tauland Gjikaj.

Viktima ishte me precedentë penalë. Në shkurt të vitit 2017, ai është arrestuar për tentativë vrasjeje të kryer në bashkëpunim me persona të tjerë. Por edhe pse fillimisht u la në burg nga Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë, në mars 2018, Gjykata e Apelit ndryshoi masën e sigurisë duke e dërguar në “arrest shtëpie”.

Vetëm 3 muaj më vonë, ai u arrestua përsëri pasi ishte larguar nga banesa ku duhet të qëndronte në arrest shtëpie, si dhe iu gjetën në zotërim armë dhe municione. Por përsëri, Gjykata e Vlorës dha të njëjtën masë sigurie, “arrest shtëpie” për personin me tre mbiemra (Manaj, Beqiraj dhe së fundmi Gjikaj).

Vendimi i atëhershëm i gjykatës u kritikua nga Ministria e Brendshme, që e quajti të padrejtë lënien në “arrest shtëpie”, të një personi përsëritës të veprave penale dhe me rrezikshmëri të lartë. Nga të dhënat paraprake mësohet se viktima është person i njohur për policinë dhe i arrestuar disa herë për mbajtje pa leje të armëve, vrasje me dashje të mbetur në tentativë, si dhe për prodhim e shitje të narkotikëve.

Dyshohet se në momentin që është ekzekutuar, viktima duhej të ishte nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Paraprakisht, dyshohet se kjo vrasje të ketë si motiv prishjen e pazareve të drogës në një prej vendeve nordike të Europës. Por, dëshmitë e autorit të dyshuar dhe rrethanat e tjera të ngjarjes pritet të zbardhin plotësisht këtë atentat.