10 mijë kontrolle dhe 25 dronë nuk zbulojnë asnjë rast të kultivimit të kanabisit

kontrolle kanabisi1 1100x620

Strukturat e Policisë së Shtetit kanë nisur kontrollet masive në të gjithë territorin e vendit për goditjen e kultivimit të kanabisit. Si rezultat i gati 10 mijë kontrolleve deri tani nuk janë konstatuar raste të kultivimit të kanabisit apo tentativa për të hapur toka rishtas për kultivim.

“Janë ushtruar në total 9965 kontrolle, konkretisht: 4036 kontrolle në serra dhe miniserra, 1633 kontrolle në magazina dhe objekte, 1178 kontrolle në ish-objekte ushtarake, 746 kontrolle në banesa të braktisura, 384 kontrolle në stane/stalla bagëtish dhe 1988 kontrolle në ambiente të hapura”, thuhet në njoftimin e Policisë. 

Për kontrollin e territorit janë angazhuar 1833 punonjës policie të Drejtorive Vendore të Policisë dhe Drejtorive të Kufirit, të ndarë në 354 grupe kontrolli. Si edhe 25 dronë që janë në dispozicion të Drejtorisë Vendore të Policisë, kamera, dylbi, 297 automjete policie dhe 4 mjete lundruese.

Sipas Policisë, kontrollet masive të territorit do të vijojnë çdo javë dhe për këtë ajo u kërkoi qytetarëve që të bashkëpunojnë me Policinë, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.