23-vjetori i Epopesë së UÇK, evente përkujtimore në Kosovë, nderohet familja Jashari

23-vjetori i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përkujtohet me aktivitete të ndryshme. Parada ushtarake e Forcave te Sigurisë bëri bashkë ushtruesen e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin në detyrë, Avdullah Hoti.

Ata përkujtuan komandantin legjendar, Adem Jasharin, dhe kontributin që dha familja e tij për lirinë e Kosovës. Osmani në fjalën e saj vlerësoi rezistencën e vitit 1998, teksa tha se ndër synimet mbetet anëtarësimi në NATO.

“Sot 23 vjet më parë në Prekaz familja Jashari luftoi për të mbrojtur familjen, Prekazin dhe gjithë Kosovën, duke dhënë shembullin e rrallë në historinë e një familje që bëri sakrificën më sublime që ne sot të gëzojmë lirinë dhe pavarësinë. Prekazi i Ademit është bërë referencë e lirisë, rast unikal në historinë e re të njerëzimit, kur një familje sakrifikohet për të mirën e përgjithshme, për lirinë e vendit”, tha Osmani.

Prekazi ishte epiqendër e aktiviteteve në përkujtim të 23-vjetorit të Epopesë së UÇK-së. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, bëri homazhe tek kompleksi memorial “Adem Jashari”, nga ku tha se Kosova forcohet vetëm duke ecur në rrugën e të rënëve për liri.

Edhe kreu i Partisë Demokratike të Kosovës bëri homazhe në Prekaz dhe tha se sakrifica për liri nuk ka përfunduar ende. Kompleksin memorial Adem Jashari e vizituan edhe qytetarë të shumtë nga Kosova dhe Shqipëria për të përkujtuar heronjtë, dëshmorët dhe martirët që nuk kursyen jetën e tyre për lirinë e Kosovës.