Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Avioni me shpejtësi 1170 km/h kryen vitin e ardhshëm fluturimet testuese

Nga A2 CNN
5 Mars 2021, 15:51 | Teknologji

Është ende një projekt, por fotot e reja që tregojnë sesi do të jetë avioni i ri supersonik me të cilin udhëtimi Nju-Jork – Londër do të bëhet për 3 orë e gjysmë, janë mahnitëse.

Avioni Spike S-512 Supersonic Business Jet, i ideuar nga kompania nga Bostoni, Spike Aerospace, do të nisë në vitin 2022 fluturimet testuese. Prodhimi i tij do të kushtojë 100 milionë dollarë, tha CEO Vik Kachoria.

Avioni do të arrijë një shpejtësi rreth 1170 km/h, me një kapacitet 12 deri në 18 pasagjerë, të cilët do ta gjejnë veten praktikisht në një hotel luksoz në qiell. Kachoria tha për “Daily Mail” që avioni nuk do të ketë dritare tradicionale, por ekrane “high definition” ku përveç panoramës magjike që ofron natyra, mund të shfaqen edhe video dhe prezantime direkt nga laptopi.

Sipas kompanisë, përveç luksit dhe modernitetit, eliminimi i dritareve do të ulë së tepërmi zhurmën në kabinë, diçka që i ka munguar avionit të mëparshëm supersonik, Concorde. Kompania po punon edhe për një avion privat, që do të jetë në gjendje të udhëtojë nga Londra në Nju-Jork, edhe më shpejt, për vetëm 90 minuta. Por ky version nuk parashikohet të ngrihet në ajër para vitit 2035.

Dy kompani të tjera janë duke punuar për ndërtimin e një avioni supersonik, Boom Supersonic dhe Aerion. Concorde ishte avioni i fundit supersonik, i cili fluturoi për 27 vite nga 1976-a. Ai udhëtonte me një shpejtësi 2180 km/h dhe mbante deri në 128 pasagjerë.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu