Grabitja në Rinas, vëllai i Admir Muratajt padit prokurorin e çështjes

Can Murataj, vëllai i Admir Muratajt, një prej grabitësve të dyshuar të një sasie të konsiderueshme parash në prill 2019, ka paditur në SPAK prokurorin e kësaj çështjeje, Ened Nakuçi, për “shpërdorim detyre”.

Në letrën e kallëzimit, Murataj pretendon se edhe pse kanë kaluar dy vite nga koha kur ai dhe familja kanë kërkuar informacion, prokurori nuk ka kthyer përgjigje.

“Në cilësinë e trashëgimtarit të viktimës së veprës penale, kërkojmë të hidhet dritë mbi këto pyetje:

a. Cilët kanë qenë punonjësit e policisë me gjeneralitetet përkatëse anëtarë të grupit të FNSH-së që kanë marrë pjesë në shkëmbimin e zjarrit të pretenduar në vjedhjen më armë të ndodhur në Rinas, në datë 9 prill 2019?

b. A janë respektuar dispozitat përkatëse të ligjit nr. 72/2014 “për përdorimin e armëve të zjarrit” dhe akteve të tjera nënligjore nga anëtarët e grupit të FNSH të Policisë së Shtetit?”, thuhet në kallëzimin e Muratajt.

Vëllai i Admir Muratajt gjithashtu pretendon se prokurori Nakuçi, “në mënyrë të kundërligjshme mban në sirtar dosjen e sekuestrimit të pasurive. Kanë kaluar mbi 2 vite dhe ky proces gjyqësor nuk është përfunduar”.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i mbylli në qershor 2020 hetimet për grabitjen e 9 prillit 2019. Të pandehur në këtë dosje janë Klement Çala, Eldi Çala, Oltion Veseli, Elton Pikli, Renaldo Sula dhe Alkond Bengasi.

Çështja kundër Ragip Hajdinit, i njohur si “daja nga Kosova”, u pushua pasi ndërroi jetë në qershor të vitit të kaluar. SPAK ka cilësuar si kreun e grupit kriminal Admir Muratajn, që u vra ditën e grabitjes gjatë përplasjes me armë me policinë. Në kërkim vazhdon të jetë Talo Çela, për të cilin ka masë sigurie në mungesë.