Luljeta Bozo kandidate e PS në zgjedhjet e 25 prillit, Rama: Pensionistët do të kenë zërin e tyre

Luljeta Bozo është prurja e re në ekipin e kandidatëve për deputet brenda Partisë Socialsite. Gjatë një aktiviteti për programin e Rindërtimit, Rama i bëri një ftesë publike inxhinieres 79-vjeçare, ftesë e cila u pranua.

“Ti u tregove zemërgjerë dhe pasi u mendove nuk the jo për të qenë pjesë e skuadrës sonë. Ne do të kemi një përfaqësues të një shtrese të gjerë shoqërore që janë gjyshërit dhe gjyshet”, i tha Rama Bozos, e cila iu përgjigj: “Edhe si stërgjyshe”.

“Një përfaqësuese të denjë e vitale që ka shumë për të dhënë dhe nga maja e eksperiencës së vet si inxhiniere, gjyshe e stërgjyshe, do jesh një ndihmë e madhe për të na shkulur veshin me kujdes dhe mos të na e këpusësh, por ne të jemi gjithmonë të fokusuar dhe Luljeta është simbol i përpjekjes solidare të shqiptarëve që u bënë bashkë në ato momente të tmerrshme, por edhe mishërim i ambicies sime e dëshirës së madhe që skuadra jonë të jenë sa më shumë në sinkron me ta dhe për herë të parë në këtë histori të gjatë, pensionistët do të kenë njeriun e tyre aty”, shtoi Rama.

Afrimet e Luljeta Bozos dhe Najada Çomos në politikë, Rama i kërkon jo vetëm për eksperiencën në profesionet përkatëse, por edhe si simbole të dy ngjarjeve që thotë se i ndërprenë mandatin e dytë. “I dëshiruar që të shkojmë përpara njerëzve që të kem në krahë dy simbole të mëdha të këtyre dy goditjeve të mëdha, Najadën nga njëri krah, ty nga krahu tjetër”.

Tashmë me dy emra të njohur në krah, Kryeministri e pati të lehtë krahasimin me rivalët. “Po ato figura, po ajo qasje, po ajo retorikë, po ato ide që kanë dështuar këtë herë dhe thoni pse do të ketë sukses herën e pestë”.

Edhe në këtë aktivitet Edi Rama nuk harroi monologun e tij për të treguar se si i gjeti paratë për rindërtimin. “Kam marr rrugën dhe kam bërë me dëshirën më të madhe dhe me vullnetin më të fortë lypsin, kudo ku kam mundur duke trokitur në të gjitha dyert e mundshme”.

Programi i rindërtimit vijon dhe për qeverinë pranvera e vitit 2022 është koha kur do të ketë përfunduar ndërtimi i shtëpisë së fundit të shembur nga tërmeti. Vetë kryeministri iu përgjigj akuzave se ku shkojnë paratë e dhuruara duke nënvizuar se ato i administrojnë donatorët.

Nga ana e saj, Luljeta Bozo shprehu gatishmërinë për të bërë sa më shumë që të jetë e mundur për shqiptarët. “Do të përpiqem dhe do të bëj maksimalen për popullin tonë.”

Por para prezantimit nga kryeministri, Bozdo foli përtej kornizës së rindërtimit. Ajo preku në problemet e ekonomisë, turizmit, zonave rurale dhe pasurive minerale. “Nuk do kishim as gjysmën e atyre dëmeve nëse nuk do ishin shkelur rregullat e ndërtimit dhe më vjen mirë që këto janë pasqyruar në programin e rindërtimit. Programi i rindërtimit duhet të vazhdojë në një aspekt tjetër, është fitimprurës ngre ekonominë dhe turizmin, por nuk duhet lënë problemi i zonave rurale, që nuk ecën përpara një ekonomi individuale, të bashkohen disa familje, ka punë në zonat rurale dhe një pasuri që na ka falur natyra janë pasuritë minerale.”