Shpallet kompania fituese që do të ndërtojë Aeroportin e Vlorës, 104 milionë euro investim

Ndërsa Komisioni parlamentar i Ekonomisë rrëzoi dekretin e presidentit meta për aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, pak orë më vonë kryeministri Rama shpalli kompaninë fituese që do të ndërtojë aeroportin e Vlorës me një investim rreth 104 milionë euro.

Bëhet fjalë për konsorciumin “Mabco Construction”, i përbërë nga Mabetex Group, kompani e regjistruar në Zvicër në pronësi të Behgjet Pacollit dhe YDA – Group, kompania turke me qendër në Ankara që po ndërton spitalin rajonal të Fierit.

“Ambicia është të realizohet vizioni për 4 aeroporte ndërkombëtare dhe dua të shfrytëzoj rastin për t’iu thënë njerëzve që thonë “ne s’kemi bukë, ju bëni aeroporte” se aeroportet janë fabrika buke. Aeroportet janë fabrika zhvillimi të madh ekonomik”, tha Rama.

Aeroporti i Vlorës është një histori që vijon tashmë prej disa vitesh. Më 17 janar 2018, kryeministri Edi Rama njoftoi se kishte marrë një “kërkesë zyrtare” për ndërtimin e një aeroporti pranë Vlorës nga një konsorcium turk. Kërkesa erdhi pas vizitës së kryeministrit Rama në Turqi, gjatë së cilës ai njoftoi se presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan do ta “ndihmonte” me krijimin e një kompanisë ajrore shqiptare.

Sipas Ramës, puna për ndërtimin e aeroportit do të fillonte në qershor 2018. Më 11 prill 2019, konsorciumi turk u tërhoq nga koncesioni për zhvillimin e Aeroportit të Vlorës. Më 15 shtator 2019, Kryeministri lajmëroi zyrtarisht largimin e konsorciumit turk dhe kryerjen e një projekti të ri për aeroportin.

Po brenda shtatorit, Rama do të prezantonte projektin në Vlorë dhe tha se ende nuk e kishte vendosur nëse do ta ndërtonte ndonjë firmë ndërkombëtare apo me paratë e buxhetit të shtetit. tashmë kemi një tjetër fitues tenderi dhe pas katër vitesh premtime, Vlora është end epa aeroport.