Tatuazhet “haram” të botës arabe

Mbishkrimet dhe skicat në rrugët e vendeve të ndryshme në Lindjen e Mesme janë të shumta, dhe shpesh kanë qenë në vëmendjen e fotografëve nga e gjithë bota. Por çfarë mund të mendohet, kur flitet për vizatime mbi trupin e njeriut, sidomos në Lindjen e Mesme? Sipas ligjit fetar islam, tatuazhet konsiderohen “haram” ose të ndaluara, por ato po bëhen gjithnjë e më pak tabu në Lindjen e Mesme. Këtë e dëshmon fotografi, Bashar Alaeddin, i cili përmes një morie imazhesh të fiksuara prej tij, është përpjekur të hedhë dritë mbi një kulturë pak të njohur të botës arabe.

Në një udhëtim në Lindjen e Mesme, ajo që mbeti në mendjen e tij ishte fjala “liri” në arabisht, “حرية”, skicuar me një dizajn të pazakontë në një mur, e më pas e pa atë në lëkurën e një djali të ri. Nga kjo vendosi të realizonte një projekt, të kapte imazhe të tatuazheve që përfaqësonin një botë të tërë kulturore, atë të Lindjes së Mesme. Ai vuri re se kaligrafia tradicionale arabe po shndërrohej në një art të tatuazheve.

“Zakonisht njerëzit, botën e Lindjes së Mesme e lidhin me frikën, ndalimin dhe mohimin e shumë të drejtave dhe pikërisht përmes paraqitjes së këtyre imazheve do përpiqem të largoj këto mendime. Bota arabe është shumë e larmishme, komplekse”, thotë Alaeddin për CNN Travel. Për të, fenomeni i të bërit tatuazhe në gjuhën arabe, mund të ketë nisur nga fakti se gjuha arabe ngjan mjaft piktoreske, por nga ana tjetër edhe sepse shquhet për bukurtingëllimin e saj.

Më së shumti të rinjtë, po i shndërrojnë shkrimet arabe si tatuazhe, jo vetëm si një përzgjedhje artistike, por edhe për të shënjuar identitetin dhe etninë e tyre. Kështu ata zgjedhin të shkruajnë mbi trup poezi, këngë, shprehje a fjalë të veçanta arabe. Kjo përhapje e ideve të reja po tërheq të gjithë botën arabe, edhe ata që ndjekin format tradicionale të islamit, për të cilët tatuazhet konsiderohen të ndaluara. Kështu duket se ky fenomen përfaqëson diçka më së shumti kulturore sesa fetare, duke treguar histori të ndryshme njerëzore, të një bote marramendëse, siç është ajo arabe.