Cili vend ka ushqimin më të mirë? CNN Travel rendit 10 shtete

Një udhëtimi të bukur padyshim që i shtohet edhe ushqimi i shijshëm, që ofrojnë kultura të ndryshme gastronomike në botë. CNN Travel rendit disa nga destinacionet që konsiderohen si më të mirat për ushqime dhe gatime të ndryshme, por sigurisht që renditja mbetet subjektive, pasi gjithkush mund të pëlqejë shije që nuk gjenden në këtë listë.

10. Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Shumica e ushqimeve të njohura në SHBA e kanë origjinën me siguri nga ndonjë vend tjetër. Zakonisht receta italiane, franceze apo gjermane, por në kuzhinat e Shteteve të Bashkuara, këto receta janë ndryshuar disi duke iu shtuar përbërës të tjerë, e duke u masivizuar kudo në botë. Dihet që Fast Food-i është ushqimi më i përhapur në Amerikë, Cheeseburger, KFC, por dhe ëmbëlsira të ndryshme, ndër to biskotat me çokollatë, janë pak nga ato çka ofron kjo kuzhinë.

9. Meksikë

Kuzhina meksikane ka pak nga gjithçka dhe me siguri nuk do të mërziteni kurrë. Mes “enchiladas” dhe “tacos”, “helados”, “quesadillas” dhe një shumëllojshmëri sallatash. Është gjithashtu një vend që shquhet për superushqimet ushqyese. Avokado, domate, hudhër, fasule, e plot ushqime të tjera të pasura me antioksidantë.

8. Tajlandë

Ushqimi në rrugë është një nga gjërat më normale që mund të shihni atje. Kombinimi i shumë bimëve dhe erëzave në secilën pjatë prodhon aroma komplekse. Tajlandezët shquhen për ushqime me erëza, të tharta e njëkohësisht të kripura dhe të ëmbla. Me ndikime nga Kina, Malajzia, Indonezia, Birmania dhe një traditë e kuzhinës mbretërore, në kuzhinat tajlandeze do të gjeni receta të veçanta si, “Som tam” një sallatë e njohur me papaja të gjelbër apo “Pla som”, një peshk i thartuar që hahet i papjekur.

7. Greqi

Udhëtimet në Greqi janë padyshim mahnitëse, për çdo gjë që ky vend ofron, nga natyra, detet e kaltra, ishujt… dhe ushqimet super të shijshme. Ullinjtë, djathi feta, sallatat shumëngjyrëshe dhe mishrat e pjekur janë pjatat kryesore në çdo tavolinë greke. Sekreti i shijes së shumë prej recetave të tyre është vaji i shkëlqyer i ullirit.

Të hash në Greqi është gjithashtu një mënyrë për të njohur historinë. Një tas me supë me thjerrëza rikthen shijen e Greqisë së lashtë, kohë kur u shpikën. “Spanakopita”, një brumë me përzierje të djathit feta dhe spinaqit; Gjiros, një pite e mbushur me mish të pjekur dhe salca pikante, si dhe “Lachanorizo”, lakër dhe qepë të gatuara shumë dhe të përziera me oriz; këto janë vetëm pak nga recetat e famshme greke.

6. Indi

Një kuzhinë ku mbizotërojnë erëzat me bollëk, të përdorura me mishin, perimet, ëmbëlsirat e gati kudo. Nuk ka rregulla për përdorimin e erëzave dhe sasisë së tyre, për sa kohë rezulton diçka e shijshme. “Dosa”; një petull e mbushur me gjithçka, nga djathi te perimet pikante, e përsosur për drekë ose darkë. Çaji, pija aq e përhapur, me lloje të ndryshme, zëvendëson përsosmërish kafenë.

5. Japoni

Japonezët me siguri që rigorozitetin dhe saktësisë e tyre e kanë edhe në ushqim, ashtu si në çdo fushë. Sushi, gatimi që sot mbizotëron kudo në botë; “Tempura”, përsosja e skuqjes së thellë, por jo të yndyrshme, si dhe një mori supash, janë pak nga recetat që ofron Japonia.

4. Spanjë

Nga frutat e detit, “tapas”, vaji i ullirit, proshutat, verërat, të gjitha pjesë e një kulture hedoniste të të ngrënit, gjenden në çdo qytet të Spanjës. Receta që bashkojnë tokën dhe detin, kohëra të vjetra nga pushtimi arab – që i jep kuzhinës spanjolle një aromë orientale – e deri te shija e rafinuar perëndimore e bëjnë kuzhinën spanjolle të përjetshme, por avangardë.

3. Francë

Nëse jeni nga ata njerëz që ju pëlqen të hani pak dhe të shijoni një delikatesë të verërave dhe djathërave, padyshim këtë e ofron kuzhina franceze. Pastiçeritë në Francë duket se janë krijuar nga një ëmbëlsi e pafundme “e prekur magjishëm nga një pluhur delikat i zanave”. Bageta – gjëja e parë dhe e fundit që do të dëshironi të hani në Francë – buka e famshme krokante që pret të jetë pjesë e listës së trashëgimisë UNESCO.

2. Kinë

Kuzhina e Kinës është aq e larmishme, për shkak të rajoneve të ndryshme, sa është e vështirë të besosh se është nga i njëjti komb. Mish derri i ëmbël dhe i thartë, një shije që ka marrë forma të ndryshme tashmë në botë. Rosa e Pekinit; supa të shumta si ajo me pendë peshkaqeni; forma të ndryshme të gatimit të orizit, dhe shumëçka që e bëjnë atë shpeshherë një kuzhinë të çuditshme dhe të guximshme.

1. Itali

Ushqimi italian ka mahnitur kuzhinën e të gjithë globit për shekuj me radhë, me salcat e domates së butë, brumërat me miellin e grurit, vajin e ullirit, proshutat dhe verërat. Nga rizotot me djathë, recetat e shumta të pastave, dhe sigurisht mbretëreshës italiane, pica, janë shumë pak nga çka ofron një kuzhinë e tillë e mahnitshme, që sot është bërë ushqim i gjithkujt në botë.