Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Cross Car, gara e re në Shqipëri

Nga A2 CNN
6 Mars 2021, 11:55 | Sporte të tjera
Cross Car, gara e re në Shqipëri

Janë më të vogla, por kanë fuqinë motorike të një makinë të vërtetë garash. Kanë një shpejtësi të jashtëzakonshme dhe një zhurmë të pabesueshme. Quhen Cross Car dhe janë pjesë e disiplinës më të re të prezantuar nga Auto Club Albania.

Mund të arrijnë shpejtësinë nga 0 në 100 km/h në vetëm 2,1 sekonda. Motori është 750 kubikë me 135 kuaj fuqi dhe peshon vetëm 250 kg. Janë makina që mund të ecin në asfalt, në dhe në rërë, bar, madje edhe në terren me dëborë. Cilësohen si mënyra ideale për të rritur pilotët e rinj.

“Disiplina e Cross Car është e re jo vetëm për Shqipërinë por edhe për Federatën Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA)”, tha Eridon Lameborshi, Sekretar i Auto Club Albania. “Kjo disiplinë përfshihet mes atyre që shërbejnë për zhvillimin e motor-sportit për fillestarët dhe që të jenë të lehta për t’u aksesuar nga të apasionuarit. Nëse pilotët që praktikojnë karting, mund të synojnë të garojnë në Formula 1, siç është rasti i Hamilton, kjo lloj disipline është baza e pilotëve që synojnë Botërorin e Rally”.

Së shpejti, në Shqipëri pritet të organizohet gara e parë e Cross Car. Synimi është që ajo të zhvillohet në terren off-road, jashtë asfaltit. Objektivi është krijimi i Akademisë së Cross Car dhe nëpërmjet një kampionati, Shqipëria do të përfaqësohet në eventin ndërkombëtar të Marsejës, FIFA MotorSport Games në tetor 2021.

“Do ishte shumë bukur për motor-sportin në Shqipëri të promovojmë një disiplinë të tillë” tha piloti Gentjan Shaqiri, kampion i Hill Climbing dhe i garave GoKart për vitin 2020. “Diferenca nga GoKart që zhvillohet në asfalt është e madhe, sepse kjo është një disiplinë hibride, në terrene të ndryshime. Kjo makinë nuk ka nevojë për një pilotim preciz, por të lejon të bësh drift dhe të bësh shumë korrigjime”.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu