Imigrantët e paligjshëm, sfida e trafikantëve për t’i nxjerrë jashtë Shqipërisë

3 emigrantë të paligjshëm u kapën në bagazhin e një automjeti teksa i transportonte personat nga Lindja e Mesme drejt kufirit me Malin e Zi.

Policia bëri të mundur ndalimin e drejtuesit të makinës, ndërsa për autoritetet kufitare dhënia ndihmë kundrejt shumave monetare ndaj këtyre personave është përhapur gjerësisht në vendin tonë.

Ajo që vihet re është se imigrantët e parregullt përpara se të mbërrijnë në Shqipëri janë të mirë informuar për mënyrat se si mund të largohen ndërsa dyshohet se për çdo vend që shkojnë kanë kontaktet për të mbërritur në destinacionet e ndryshme kryesisht vendet e Bashkimit Europian.

Nga intervistimet e bëra rezulton se të gjithë ata shprehin haptas qëllimin e tyre për të udhëtuar më shumë drejt Gjermanisë, Austrisë, Suedisë, Holandës dhe Francës.

Në përfundim të procedurave të përzgjedhjes për vitin 2020, 19 imigrantë të paligjshëm u trajtuan me urdhër dëbimi, 2208 u përzgjodhën si azilkërkues si dhe 10758 u trajtuan me urdhër largimi vullnetar.