Lewandowski fiton sfidën e “vrasësve”

lewa halaand 1100x620

Robert Lewandowski fitoi sfidën ndaj Erling Haaland, në “Klasiken” gjermane Bayern Munchen-Borussia Dortmund. Polaku dhe norvegjezi dhuruan spektakël, duke shënuar 3 dhe 2 gola respektivisht, me bavarezët që fituan ndeshjen me rezultatin 4-2.

Ishte Haaland ai që shokoi fillimisht kampionët në fuqi të Evropës dhe Botës, me dy gola në 7 minutat e para të ndeshjes. Por, Lewandowski u përgjigj që në pjesën e parë me dy gola, njëri prej të cilëve me 11-metërsh.

Haaland u zëvendësua në minutën e 60 për shkak të një dëmtimi, ndërkohë që Bayern nisi të zhvendoste lojën në gjysmëfushën e verdhezinjve. Golat e fitores erdhën vetëm në minutat e fundit të përballjes. Goretzka (88’) dhe sërish Lewandowski (90’) i dhanë 3 pikë të tjera bavarezëve, që vijojnë kryesimin e Bundesligës.