Miliona të padeklaruara, “Fenomeni” akuzohet për evazion fiskal

ronaldo fenomeni 600x338

Ronaldo Nazario De Lima, i njohur nga të gjithë si “Fenomeni”, i shtohet listës së emrave legjendarë të futbollit që akuzohen për evazion fiskal.

Sipas “Football Leaks” dhe dokumenteve konfidenciale të publikuara nga gazeta gjermane “Der Spiegel”, ai nuk është taksuar për të ardhurat që përfitonte si ambasador i Real Madrid. Ronaldo përfitonte 1 milion euro në vit për detyrën në të cilën u emërua në vitin 2016, momenti kur Florentino Perez rimori presidencën e klubit.

Së bashku me ish-sulmuesin, rolin e ambasadorit e morën edhe dy emra të tjerë të mëdhenj të madrilenëve, Roberto Carlos dhe Raul Gonzalez. Sipas raportimeve, edhe pse përfitoi miliona euro, Ronaldo dhe klubi i Realit nuk kishin firmosur kontratë, duke bërë që ish-legjenda të shmangte taksat në shtetin spanjoll.

Ronaldo u transferua nga Interi në Bernabeu në vitin 2002, për afro 46 milionë euro. Me aftësitë e jashtëzakonshme, braziliani u shndërrua në një prej sulmuesve më të mirë të historisë së Realit, duke realizuar 104 gola në 117 ndeshje të luajtura në harkun e 5 sezoneve. Në karrierën e tij, braziliani ka fituar dy herë Topin e Artë dhe dy Kupa Bote.

Në vitin 2018, Ronaldo mori pronësinë e klubit të Real Valladolid, duke blerë 51 për qind të aksioneve, ndërkohë që ishte në detyrën e ambasadorit të Realit të Madridit. Aktualisht, ai zotëron 82% të aksioneve në stadiumin José Zorrilla, me skuadrën që ka vuajtur ecirinë jo të mirë pas rikthimit në La Liga dhe aktualisht pozicionohet në vendin e 17-të, në kuotë të njëjtë pikësh me Alaves, që ndodhet në zonën e rënies nga kategoria.