Bashkëbisedimi për mandatin 3, Rama: PD me të njëjtët emra. Ëndërroj për doza të mëdha vaksinash

Kryeministri Edi Rama akuzoi kundërshtarët në zgjedhje se bëjnë premtime që nuk i mbajnë dot. Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët e Lezhës, kreu i qeverisë foli edhe për procesin e vaksinimit nga ku beson se do të shpëtojë edhe sezoni turistik.

Besimin për një mandat të tretë Edi Rama i kërkoi këtë të diel lezhianëve. Gjatë një bashkëbisedimi 100 minutësh me banorët e këtij qytetit, kryeministri foli për punët e bëra si edhe akuzoi kundërshtarët për premtimet e tyre elektorale.

“Këta të gjithë janë sot, janë faktikisht të gjithë ata që janë shquar si ushtarë të komandantit legjendar të tyre. Po t’i dëgjoni ata, duket sikur thonë se populli e kishte fajin që na hoqi në 2013 dhe populli duhet të na japë atë që na takon”.

Nga akuzat e përgjithshme, kreu i qeverisë shenjëstroi rivalin e tij që kërkon t’i marrë karrigen kryeministrore.

“Çfarë pune ka bërë në jetë? Të paktën të gatuaj makarona një herë për demokratët që të provojë që i bën ato makaronat apo i ka thjeshtë për t’i tundur në momentin kur filmohet se mirë tramvajën e Tiranës nuk e tregon dot”.

Krahas akuzave politike, kryeministri u ndal edhe tek procesi i vaksinimit nga i cili shpreson të shpëtojë truizmin e 2021.

“Kjo është ëndrra që më lë mua pa gjumë për momentin. Si të disponojmë sa më shpejt një sasi vrastare vaksinash për armikun e padukshëm”.

Për këtë Rama u shpreh se shpreson që deri në mesin e muajt qershor të jetë bërë vaksinimi masiv i popullatës.