Ritmet e ngadalta të vaksinimit: Vetëm 20 mijë të imunizuar. Rama premton proces intensiv

Procesi i vaksinimit ndaj COVID-19 po bëhet me ritme të ngadalta për shkak të mungesës së vaksinës. Deri tani Shqipëria ka siguruar vetëm 32 mijë doza të Pfizer, të pamjaftueshme për të mbuluar të gjithë personelin mjekësor në vend dhe kategorinë e të moshuarve mbi 80 vjeç, ku vetëm këta të fundit janë rreth 82 mijë në të gjithë vendin. Kryeministri premton se para dhe  pas zgjedhjeve do të vijnë sasi të konsiderueshme vaksinash, aq sa do të ndikojnë edhe ecurinë e sezonit turistik.

“Qeveria ka siguruar dy kontrata, një me Pfizer dhe një me Covax për 1.6 milionë vaksina në total. Ambicia ime është që sezoni i ardhshëm turistik të jete i lehtësuar për shkak të një vaksinimi intensiv në muajt, mars, prill, maj, qershor”.

Por sa doza pritet të vijnë në muajt mars, prill nga Pfizer dhe Covax, ku ky i fundit deri tani nuk ka asnjë sjellë vaksinë pavarësisht parapagimit  3.9 milionë dollarë që ka bërë Shqipëria.

“Presim në mars dhe në prill mbi 30 mije doza të Pfizer si dhe presim dhe sasinë e parë nga marrëveshja me Covax me rreth 14 mijë e 400 doza”, thotë specialistja e ISHP-së Iria Preza.

Deri tani janë kryer rreth 20 mije vaksinime në personelin mjekësor dhe tek të moshuarit veçanërisht në azile. Ndërkohë situata në vend nga përhapja e koronavirusit është kritike. Pavarësisht uljes së lehtë të rasteve ditore, alarmante janë shifrat e larta të humbjeve të jetës edhe te moshat e reja. 

Mjeku Pëllumb Pipero ka deklaruar se virusi këtë periudhë është më agresiv dhe nuk po njeh moshë.

“Agresiviteti i këtij virusi është shtuar sepse po shohim raste me pak ditë klinike, me 3-4 ditë shqetësime, dhe me prekje shumë të gjerë të mushkërive. Kjo prekje ka avancuar në mënyrë të heshtur”.

Për mjekun e  spitalit Covid 1,  gjysma e dytë e vitit pritet të jetë më e qetë për shkak të  imunizimit të lartë natyral, por dhe që do të vijë përmes vaksinës.

Në 1 vit pandemi janë infektuar mbi 110 mijë qytetarë, 35 mijë vijojnë të jenë të sëmurë aktivë, ndërsa kanë humbur jetën më shumë se 1900 persona.