Skadon afati për listat, Kim: Kandidatë të pastër, shpresoj që liderët të kenë kuptuar mesazhin e SHBA

yuri kim 1100x620

Ambasadorja Yuri Kim ka shpërndarë në rrjetet sociale një postim zyrtar që përkon me afatin e fundit për paraqitjen e kandidatëve për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Ambasadorja nënvizon edhe një herë që “SHBA ka qenë shumë e qartë mbi përgjegjësinë e liderëve për të siguruar kandidatë të pastër, përfshi në lidhje me ligjet e Shqipërisë dhe përcaktimet e bëra nga Sekretari i Shtetit i SHBA”.

Kim vijon duke thënë se “listat që do të dërgohen nesër nga partitë do të na tregojnë nëse liderët shqiptarë e kanë kuptuar mesazhin tonë, që janë të përkushtuar ndaj anëtarësimit në BE dhe janë të vullnetshëm të marrin vendime të vështira për të siguruar një të ardhme më demokratike dhe të begatë për Shqipërinë”.

“Do t’u kërkojmë llogari udhëheqësve, dhe do të mbështesim KQZ-në në shqyrtimin e listave të kandidateve”, përfundoi ambasadorja.